Sali Berisha në protestë: Po burgosem pa të drejtë, kjo është diktaturë

E publikuar: 27/12/2023 11:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se masat që po merren ndaj tij nga drejtësia janë pa asnjë akuzë. Ai sot ka dalë në protestë duke thënë se po tentohet të burgohet pa të drejtë.

“Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë”, tha ai në protestë.

Sipas tij, u shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqja e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në Kuvend.

“U shkelën ligjet dhe rregullorja e Kuvendit në mënyrën se si u votua heqja e imunitetit të tij. Nuk po përmend as standardin e dyfishtë dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese. Le t’i lëmë mënjanë këto, por më thoni ju mua, pse duhet kyçur në shtëpi pa asnjë dokument, fakt apo provë Sali Berisha? Vetëm e vetëm pse i ka kallur tmerrin, datën, monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës?”, ka deklaruar ai.

“Kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë”, shtoi ish-kryeministri.

“Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, kjo është diktaturë. Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë. Shqiptarë zgjohuni se po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit, me Bjellorusinë e Lukashenkos, me Venezuelën e Maduros dhue juntën ushtarake të Mianmarit. Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë”.

Berisha i qëndron bindjes se do ta fitojë këtë betejë.

“Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre.A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”, ka shtuar tutje Berisha./TCH/