Bërja publike e financimit dhe shpenzimeve të partive politike është obligim ligjor. Në këtë obligim, subjektet politike në raportet vjetore financiare duhet të tregojnë edhe për shumën e qirasë që paguajnë për objektet, të cilat i shfrytëzojnë.
Për rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se subjektet politike i fshehin shpenzimet, pasi nuk publikojnë as raportet financiare vjetore ku duhet të paraqiten të gjitha shpenzimet, përfshirë edhe qiranë.
Disa nga partitë politike që nga formimi i tyre janë vendosur në objekte të ndërmarrjeve shoqërore apo ndërtesa private në qendër të Prishtinës, shumë pak nga to e bëjnë publike shumën e qirasë.
Selia qendrore e partisë Demokratike të Kosovës, apo partia më e madhe në vend, është e vendosur në Sheshin “ Nëna Terezë” në Qendër të Prishtinës.
Objekti që shfrytëzon ky subjekt ka qenë në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Drithnaja”, e cila është privatizuar në valën e 44 të privatizimit, konkretisht në fillim të vitit 2011.
Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Basri Musmurati, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kanë kontratë me pronarët, të cilët kanë privatizuar objektin, mirëpo nuk e dinë çmimin e qirasë.
“Këto janë privatizuar dhe ne kemi një kontratë me pronarët dhe paguajmë qira mujore. Shumën e qirasë nuk e di saktësisht”, ka thënë Musmurati.
Partia e dytë në Kosovë është Lidhja Demokratike e Kosovës, selia qendrore e së cilës gjendet në kompleksin Qafa në Rrugën e UÇK-së. Një anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili nuk deshi t’i publikohet emri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se mbi 20 vjet LDK-ja funksionon në këtë objekt dhe njihet si pronë e kësaj partie, por që në raporte financiare nuk figuron si pronë e saj.
Më transparente në këtë kuadër duket të jetë Lëvizja Vetëvendosje. Kjo lëvizje aktualisht shfrytëzon një objekt privat në rrugën e UÇK-së. Frashër Krasniqi, sekretar për media dhe komunikim, ka treguar se për këtë objekt paguajnë qira në vlerë prej 1849.90 në muaj.
“Selia qendrore e Lëvizjes Vetëvendosje gjendet në një objekt privat, në rrugën UÇK, pa numër dhe paguan qira në baza mujore. Financat tona për këtë objekt i kemi të publikuara dhe të deklaruara në KQZ, sipas ligjit dhe në mënyrë transparente”, ka bërë të ditur Krasniqi.
Kurse, selia qendrore e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës gjendet në Bulevardin e Dëshmorëve në Prishtinë, por që nuk dihet se e kujt është ndërtesa që shfrytëzojnë dhe a paguajnë qira.
Me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë, që të kontaktojë përgjegjësin kompetent për këtë çështje, një gjë e tillë ka qenë e pamundur
Megjithatë, në raportin financiar vjetor për vitin 2012, shkruan se qiraja e lokalit të zyrës është 7.350 euro, pa u specifikuar se a është mujore apo vjetore dhe për cilën zyre paguhet kjo qira.
Po në këtë raport, ku bën vlerësimin auditori i pavarur, thuhet se subjekti politik ka në shfrytëzim objektin, për të cilin nuk paguan qira dhe kjo vlerë nuk është prezantuar si e hyrë nga donacionet, as si shpenzim i qirasë.
Sidoqoftë, në bazë të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që duhet të përmbajë bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit dhe të humbjes, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë, duke përfshirë edhe qiranë.
Po ashtu, të tregohet çdo pagesë që i është bërë personit tjetër gjatë periudhës së përfshirë në raport, nëse vlera e përgjithshme e të gjitha pagesave që i janë bërë atij personi gjatë kësaj periudhe tejkalon pesëmijë euro duke shënuar edhe qëllimin e pagesës.
Gjithashtu, në Ligj thuhet se subjektet politike duhet të publikojnë dhe të mbajnë të publikuar së paku një vit në faqet e tyre zyrtare Raportin Vjetor Financiar të vitit paraprak dhe Raportin e Deklarimit Financiar të Fushatës së zgjedhjeve paraprake dhe ta publikojnë versionin tyre të shkurtuar në njërën nga gazetat ditore kombëtare.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile, shprehen se partitë politike nuk janë transparente në publikimin e financave të tyre. Monitorimi i të ardhurave të tyre, po thuajse është proces i pamundur pasi viteve të fundit, subjektet politike nuk kanë publikuar raportet vjetore financiare, ka deklaruar Arton Canhasi, menaxher në Institutin Demokratik të Kosovës.
Kurse, sa i përket shumës së qirasë, Canhasi ka theksuar se partitë politike nuk e bëjnë publike këtë shumë.
“Jo vetëm qiratë, por çdo gjë tjetër është jotransparente, për shkak se nuk janë publikuar në dy vitet e fundit raportet vjetore financiare të shpenzimeve”, ka theksuar Canhasi.
Ndryshe, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, që raportin financiar e ka publikuar në faqen e tyre zyrtare, partitë më të mëdha në vend një obligim të tillë nuk e kanë përmbushur.
Megjithatë raportet e tyre financiare i kanë dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor, pasi kjo është kërkesë ligjore.
Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të KQZ-së kanë shkruar se pothuajse të gjitha subjektet politike i kanë dorëzuar me kohë Raportet Vjetore Financiare për vitin 2014 në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Vetëm 12 parti politike joparlamentare nuk e kanë bërë një gjë të tillë brenda afatit të paraparë ligjor. Katër prej tyre (nga të 12-at), i kanë dorëzuar më vonë këto raporte.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke u bazuar në Ligjin për financim të subjekteve politike, ka marrë vendim për ta gjobitur me gjobë bazike prejnjë mijë eurosh secilën prej këtyre partive politike, si dhe kamatën e përcaktuar me ligj për çdo ditë vonesë deri në dorëzimin e raportit”.
Ndryshe, pas dorëzimit të raporteve vjetore financiare në KQZ, ato duhet të auditohen nga auditorët, të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës nëpërmjet Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me anë të një thirrjeje të hapur publike për aplikim.
Këta auditorë Kuvendi duhet t’i përzgjedhë në muajin janar. Zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Ali Sadriu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është çështje ditësh përzgjedhja e këtyre auditorëve.
“Kemi pasur probleme në baza ligjore, sepse Ligji kërkon që kompania duhet t’i ketë 10 auditorë të licencuar e në Kosovë nuk kemi asnjë kompani që i ka 10 auditorë të licencuar. Të shkohet në kontratë mbi vepër është nivel më i ulët”, ka deklaruar Sadriu.
Por, arsyetimet e tyre i ka quajtur të çuditshme Arton Canhasi, duke e konsideruar si vonesë të panevojshme:
“Mirëpo, mendojmë se edhe Ligji është gabim dhe mendoj se duhet të ndryshohet për shkak se këto parti, të cilave duhet t’u bëhet auditimi, auditorët zgjidhen nga përfaqësuesit e partive politike në Kuvend. Dhe, nuk besojmë se duhet të jenë të njëjtit persona që i bëjnë këto”, TRANSMETON REL.
Ndryshe, një ndër kriteret për t’u përzgjedhur auditor, sipas ligjit, është të mos kenë qenë donatorë të ndonjërit nga subjektet politike apo të kenë përfituar në ndonjë mënyrë nga subjektet politike gjatë tre vjetëve të fundit.