Ryshfeti për një vendim, nga 50 deri në 100 mijë euro (Foto)

E publikuar: 04/05/2016 14:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

  • Grupi i Azem Sylës dyshohet se korruptoi shumë zyrtarë të shtetit
  • Nuhi Uka dyshohet se kishte pranuar ryshfet të majm për secilin vendim
  • Prokurori Faik Hoxha dyshohet se mori 20 mijë euro për t’i mbyllur hetimet

Grupi i dyshuar i Azem Sylës kishte arritur që ndikimin e vet me anë të ryshfetit, kërcënimeve e frikësimit, ta shtrijë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Gjykatën Komunale të Prishtinës, në Prokurori dhe në Polici.

Të gjitha hallkat ishin vënë në funksion të tyre në mënyrë procesi i zhvatjes së pronave të shtetit të mos haste në asnjë pengesë.

Me anë të vendimeve të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara, grupi ka shpronësuar prona të shtetit në vlerë prej 30 milion eurosh.

Për këtë veprimtari kishin informacione shumë institucione.

AKP-ja kishte provuar ta ndalte zhvatjen duke bërë kallëzim kundër Nuhi Ukës. Por, grupi dyshohet se kishte korruptuar hetuesit e Policisë së Kosovës dhe prokurorin e rastit, Faik Hoxhën. “Në mungesë të provave”, rasti ishte mbyllur në favor të grupit.

Hoxha, aktualisht është shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe përgjimeve telefonike, Hoxha e ka mbyllur këtë rast duke mos e hetuar Nuhi Ukën, në këmbim të një ryshfeti prej 20 mijë eurosh.

Dyshimi konfirmohet nga një përgjim telefonik në mes të Fahredin Gashit dhe Shpresim Ukës.

Hoxha ka mohuar se ka pranuar ryshfet. Ka thënë se nuk ka lidhje me këtë grup.

“Nuk e di, nuk më kujtohet se kam hetuar këtë rast. Moti kam dalë prej Prokurorisë. Nuk kam marrë ryshfet”, ka thënë Hoxha në një prononcim për Insajderin.

Për Prokurorinë, që tashmë ka vënë prapa grilave shtatë persona, përfshirë Azem Sylën, roli i ish-kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, pos përgjimeve telefonike, është përshkruar në mënyrë të qartë nga dëshmitari bashkëpunues, Nazim Bllaca.

Përgjimi telefonik ndërkaq dëshmon se ai pranonte ryshfet në vlerë deri në 100 mijë euro. “Nga biseda e lartpërmendur që është përgjuar në vitin 2010, del në pah qartazi çmimi i lartë i ryshfetit të cilin e kërkon Nuhi Uka”, thotë prokurori.

Uka është i dënuar në shkallë të parë për një rast të ngjashem me dy vjet burgim me kusht. Një proces tjetër gjyqësor e ka lidhur me një pronë afër Muzeut të Kosovës. Në këtë rast akuzohet së bashku me gruan dhe katër balldëskat.

Një proces tjetër gjyqësor e ka të hapur për ndikim në dëshmitar.

Sipas Prokurorisë, kontributi Nuhi Ukës për suksesin e veprimtarinë “kriminale të grupit” ishte i rëndësishëm për shkak se ka garantuar se sa herë që është e nevojshme një ndërhyrje e Gjykatës, do ta bënte me shpejtësi dhe pa probleme.

“Ai ndërmori veprime të paligjshme me detyruat e tij zyrtare si pasojë e korrupsionit”, pretendon Prokuroria.

Veprimet e tij shpjegohen në detaje.

Në lidhje me rastin Vujoviq më 13 tetor 2008, Shaban Syla kishte dorëzuar në Komunën e Prishtinës, vendimin për bartjen e dy parcelave mbi 30 hektarëshe. Shiqeri Spahiu, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, e kishte kundërshtuar këtë. Ai kishte dërguar dy letra në AKP dhe në Gjykatën Komunale duke kërkuar pëlqimin paraprak për bartje të pronave.

Por, më 2 prill 2009, Nuhi Uka, kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë i kishte dërguar një përgjigje Komunës së Prishtinës. Në këtë përgjigje theksonte se dokumentet e dosjes së lëndës janë gjetur në Arkivin e Gjykatës. Letra u jepte sqarim palëve të përfshira dhe deklaronte se vendimi ishte i formës së prerë. Megjithatë, Uka përmend numrat e ngastrave, që ishin 170 dhe 175.

Më 16 qershor 2009, AKP kishte dërguar letër Gjykatës Komunale. Dyshonte në vendimin e Gjykatës, sepse nuk kishte asnjë vulë. AKP kërkonte dosjen origjinale.

Nuhi Uka i ishte përgjigjur AKP-së me dy letra: e para më datën 15 qershor 2009, e cila i referohet një kërkese të AKP-së që nuk ekzistonte, të datës së njëjtë, me të cilën tha se vendimi është gjetur në arkiv duke mos i siguruar numrat e ngastrave.

Dhe në letrën e dytë, më 17 qershor 2009, e cila i referohet kërkesës së AKP-së nga data 16 qershor 2009. Një kopje e aktgjykimit të falsifikuar ia kishte bashkëngjitur kësaj letre.

Më 18 qershor 2009, AKP-ja e ka verifikuar vërtetësinë e vendimit për KBI Kosova Export dhe kishte siguruar një kopje të kontratës origjinale të dalës 7 tetor 1963 dhe fletën poseduese në emrin e familjes Vujoviq dhe të NSH Ratar.

Më 3 korrik 2009, AKP-ja kishte dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë duke theksuar se vendimi i paraqitur nga Zyra Kadastrale dhe nga Nuhi Uka, ishte i falsifikuar dhe se familja Vujoviq ka pasur në pronësi vetëm parcelën e tokës me numër 145 që ndodhet në Fushë – Kosovë e jo në Vetërnik.

Më 28 gusht 2009 prokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë, Faik Hoxha, kishte autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer hetime.

Policia nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim. Prokurori është dashur që t’i nxiste hetuesit me një letër të dytë të datës 14 prill 2010.

Tek më 5 nëntor 2010, Policia kishte paraqitur një raport duke thënë se nuk ka gjetur asnjë parregullsi dhe se kishin pranuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës një kopje të kontratës të datës 1963.

“Kjo ishte kontrata e falsifikuar. Çështja e falsifikimit dhe mospërputhja e dukshme mes dy vendimeve dhe në mes të kontratës së siguruar nga BVI Kosova Export dhe asaj të falsifikuar nuk ka asnjë nënshkrim apo gjurmë të dorëzimit të kontratës nga arkivi tek hetuesit, ose te personit që ia kishte dërguar dokumentin atyre”, thotë prokurori.

“Prokurori dhe hetuesit me siguri ishin korruptuar nga anëtarët e grupit të organizuar kriminal”, thotë prokurori i EULEX-it, Danilo Cecarelli. Këtë dyshim, prokurori e bazon në përgjimet telefonike të nxjerra në rastin e hetimeve “Bllaca 2”.

Një përgjim i 29 janarit 2010 është përgjuar biseda mes Shpresim Ukës dhe Fahredin Gashit, përmendet rasti Vujoviq. Ata janë duke pritur informacionin nga Ramadan Uka dhe Shaban Syla. Në këtë bisedë, sipas prokurorit, Shpresim Uka e ka bërë të qartë se prokurori i rastit, Faik Hoxha, ka kërkuar një ryshfet prej 20 mijë eurosh.

Shpresim Uka: Dani, (Ramadan Uka v.j.) më tha sonte se ai do të më jep një përgjigje definitive, a do ta kryej apo jo gjatë kësaj jave dhe unë nuk e di se çfarë ka thënë…

Fahredin Gashi: dmth a do ta kryej? Pra, ekziston mundësia që nuk mund të kryhet?

Shpresim Uka: Jo, po, po është ai prokuror. Ai njeri ka kërkuar 20 mijë.

Fahredin Gashi: Aha.

Shpresim Uka: Do të më tregojë kur përfundimisht, tash të shoh se çfarë më thotë ai.

Prokuroria pretendon se Nuhi Uka e ka ditur fare mirë se vendimi dhe kontratat ishin të falsifikuara. Ai u përgjigj shumë shpejt të gjitha kërkesave duke mënjanuar sa më shumë detaje që ishte e mundur, me qëllim që ta mbështeste grupin e organizuar kriminal në transferimin e paligjshëm të pronës.

Shiqeri Spahiu, drejtor i Kadastrit, e kishte pezulluar transferimin e pronës më 18 nëntor 2008, pezullim të cilin e ka vërtetuar më 24 shtator 2009.

Pro, më 15 dhjetor 2010, Prokuroria Publike Komunale si pasojë e raportit policor i cili bazohej në dokumentacionin e ofruar nga Nuhi Uka, i kishte shkruar një letër AKP-së në të cilin me të cilën deklarohej se ata “nuk kishin arritur të gjenin ndonjë provë për të provuar se dokumentet ishin falsifikuar”.

Më 22 mars 2011, Shiqeri Spahiu kërkon dokumente shtesë dhe më 11 prill 2011 miraton kërkesën për transferim të pronës.

Në rastin Simiq, Nuhi Uka kishte marrë vet vendim. Në një seancë të 16 Qershorit 2007 e kishte njohur Shaban Sylën si person të autorizuar të Kruna Blagojevicit në bazë të një autorizimi që mbanë datën 26 qershor 2007. Autorizimi ishte dhënë dhjetë ditë pas aktvendimit për trashëgimi. Por në aktvendim thuhet se autorizimi mban datën 5 qershor 2007.

Në aktvendimin e 16 qershorit të Gjykatës Komunale në Prishtinë si gjykatë trashëgimore me gjyqtarin Nuhi Uka, në procedurën e shqyrtimit të trashëgimisë pas vdekjes së Lubica Simiqit nga Çagllavica, thuhet se ndjera, e lindur me 4 mars 1923, ka vdekur më 26.06.2005. Ajo nuk kishte lënë testament apo kontratë për pasurinë e paluajtshme që gjendet në zonën kadastrale Llaplasellë.

Nuhi Uka e kishte shpallur Kruna Blagojevicin, siç thuhet bijë e trashëgimlënëses në tërë pasurinë trashëgimorë.

Në arsyetim të aktvendimit thuhet se në Gjykatën Komunale në Prishtinë është iniciuar procedura për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore pas vdekjes së Lubica Simiqit, sipas propozimit të të autorizuarit, Shaban Syla.

Në seancën gjyqësore të mbajtur më 13.06.2007, “trashëgimtaret ligjore” Slabodanka Stankovic, Kruna Blagojevic dhe Suncica Milic nuk kanë qenë të pranishme, por ato i kishte përfaqësuar Shaban Syla si person i autorizuar.

Si provë ishte prezantuar një autorizim i vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, Dega në Graqanicë, siç thuhet në aktvendim i datës 5 qershorit 2007, i cili “vërteton” se Sllobodanka Stankovic ka autorizuar Shaban Sylën. Në autorizim thuhet se Slobodanka Stankovic dhe Suncica Milic kanë hequr dorë nga pasuria trashëgimore e cila u takonte me ligj pas vdekjes së nënës duke ia lënë të drejtën e trashëgimisë motrës së tyre, Kruna Blagojevic.

“Në emër të Kruna Blagojevicit, i autorizuari (Shaban Syla v.j.) ka deklaruar se e pranon në tërësi pasurinë-trashëgiminë pas vdekjes së nënë Lubica Simic”, thuhet në aktvendim.

“Andaj Gjykata duke pasur parasysh këto që u cekën më lartë duke u bazuar në deklaratat trashëgimore të pjesëmarrësve në procedurë dhe në shkresat e tjera të lëndës vendosi si në dispozitiv. I autorizuari i trashëgimtarëve ligjore, në emër të tyre ka deklaruar se heq dorë nga e drejta e ankesës ndaj këtij aktvendimi”, shkruan në këtë aktvendim.

Autorizimi mban datën 26 qershor 2007. Në emrin e Kruna Blagojevicit thuhet se Shaban Syla nga fshati Kizhnarek i Gllogovcit është i autorizuar që në emrin dhe llogarinë e saj në Gjykatën Komunale të Prishtinës mund të vendosë nënshkrimin e shitblerjes së pasurisë sipas listës poseduese….në Llapllasellë.

“Po kështu ai mund të marrë edhe vërtetimin mbi tatimin në pronë dhe të marrë edhe vërtetimin mbi tatimin në pronë dhe të marrë pajtimin e kompanisë “PIK Kosovo Polje” që nuk është e interesuar për të blerë patundshmërinë. Gjithashtu i jep të drejtë që të nënshkruhet në librin amë të blerësit”, thuhet në autorizim.

Prokurori i rastin, Danilo Cecarelli, thotë se Nuhi Uka e kishte miratuar kërkesën duke u bazuar në vendime për të cilat ai e dinte mirë se ishin të falsifikuara dhe kjo vjen si rezultat i korrupsionit.

“Nazim Bllaca ka deklaruar se Shaban Syla i kishte thënë atij se ata duhet të merreshin me çështjen e trashëgimisë shpejt. Për njeriun e tyre në Gjykatë, Nuhi Ukën, ryshfeti, sipas Shaban Sylës, zakonisht sillej nga 50, deri në 100 mijë euro./Insajderi.com

 

Nesër: Si arsyetohet neuropsikiatri, Fahri Drevonja për vlerësimin që i ka dhënë Fahredin Gashit se është i sëmurë mendor? Si i është përgjigjur ai faktit se Gashi është përgjuar duke bërë biznes, ndërkohë që me dokumente është i sëmurë mendor?