Rusinë e pengon prezenca e Kosovës në sallën e OKB-së

E publikuar: 29/09/2015 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, është ankuar me prezencën e përfaqësuesve të Kosovës në Samitin Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm të organizuar nga SHBA-të të martën, duke thënë se ndërtesa e OKB-së është “nën komandën” Presidentit amerikan, Barack Obama.

“Ata (zyrtarët e Kosovës) janë ulur në sallë së bashku me anëtarët tjerë të OKB-së. Nuk është e drejtë kjo, natyrish. Të mbash takime të tilla në ndërtesën e OKB-së, do të thotë se ata nuk kanë respekt për OKB-në… Është jashtë rregullave të OKB-së”, ka thënë Churkin para gazetarëve, raporton Reuters.

Kosova, ndonëse anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, nuk ka arritur të bëhet pjesë e OKB-së pasi që Rusia, e cila ka veto në Këshill të Sigurimit të OKB-së, kundërshton anëtarësimin e saj.

Churkin tha për amerikanët që ftuan Kosovën në takimin e së martës: “Ata po tregojnë se në këtë ndërtesë gjithçka është nën komandën e Obamas”, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, media ndërkombëtare kanë raportuar se si presidenti Obama po e trajton Kosovën si shtet.

“SHBA-të po e trajtojnë Kosovën si shtet gjatë takimit të nivelit të lartë të thirrur nga Preisdenti Barack Obama mbi luftimin e ekstremizmit. Një tabelë e ulëseve për takimin e së martës shfaq Kosovën në mesin e shteteve pjesëmarrëse në takim, ani pse nuk është shtet anëtar i OKB-së”, shkruan Starherald.com, transmeton Koha.net.

Në këtë takim, sipas Starherald, po marrin pjesë edhe Rusia e Serbia, dy shtete këto që kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në punimet e Samitit Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, ku është ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Në Samit, së bashku me kryeministrin, janë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.