Rusia tenton të vrasë kreun e kompanisë së fuqishme gjermane të prodhimit të armëve, inteligjenca amerikane e zbulon në kohë (Fotot)

E publikuar: 11/07/2024 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Armin Papperger, kreu i grupit gjerman te armatimeve Rheinmetall (Tch)

Armin Papperger, kreu i grupit gjerman te armatimeve Rheinmetall (Tch)

Inteligjenca amerikane thotë se në fillim të vitit ka zbuluar një tentativë të zyrtarëve rusë për të eliminuar kreun e një kompanie të fuqishme gjermane të prodhimit të armatimeve dhe pjesëve plotësuese për Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se plani ishte pjesë e një serie vrasjesh të krerëve të industrisë së mbrojtjes në Evropë, që mbështesnin luftën në Ukrainë.

Plani për të vrarë Armin Papperger, manjatit që është në krye të prodhimit ushtarak gjerman për Ukrainën, thuhet se ishte shumë pranë realizimit.

Pas sinjalizimit nga SHBA, shërbimet sekrete gjermane kishin arritur të mbronin Papperger dhe goditur komplotin, shkruan CNN.

Kompania e Papperger, Rheinmetall, është prodhuesja më e madhe e predhave 155mm me të cilat luftohet në konfiktin ku janë vrarë qindra mijëra njerëz. Kompania raportohet se është duke hapur një fabrikë prodhimi autoblindash brenda Ukrainës dhe burimet thonë se kjo e ka shqetësuar Rusinë.

Zyrtarët në SHBA refuzonin të komentonin mbi ekzistencën e komplotit rus por zëdhënësja e sigurisë së brendshme Adrienne Watson tha në një deklaratë se “Rusia po intensifikon fushatën e sabotimeve dhe ne po bashkëpunojmë me aleatët e NATO për t’i ndaluar ato”.

Komplotet ruse në vendet që mbështesin luftën në Ukrainë ishte pjesë e diskutimeve të zyrtarëve të NATO në Uashington për 75-vjetorin e aleancës.

Zhvillimi vjen pasi muajin e kaluar një zjarr i dyshimtë goditi një fabrikë armësh jashtë Berlinit në Gjermani, ndërsa një ukrainas pro-rus 26 vjeçar u arrestua në aeroportin e Parisit pasi i shpërtheu një bombë artizanale që mbanë me vete.

Në mars një zjarr në një magazinë në lindje të Londrës pasoi dy arrestime për zjarrvënie dhe asistim të inteligjencës së huaj, saktësisht Rusinë.

Harrys Puusepp, zëdhënës i shërbimeve të sigurisë së Estonisë tha për CNN se aktivitetet ruse janë përshkallëzuar muajt e fundit.

“Kemi arrestuar 10 të dyshuar si të përfshirë në aktivitete hibride kundër sigurisë së Estonisë”.

Rheinmetall, është prodhuesja më e madhe e predhave 155mm me të cilat luftohet në konfiktin brutal
Rheinmetall, është prodhuesja më e madhe e predhave 155mm me të cilat luftohet në konfiktin brutal