Rusia s’e përjashton mundësinë e ndarjes së Kosovës

E publikuar: 10/05/2020 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për Rusinë, shkëmbimi i territoreve dhe idetë tjera “mund të vlerësohen vetëm nga Prishtina dhe Beogradi”, teksa zgjidhja definitive e çështjes së Kosovës duhet të konfirmohet në KS të OKB-së, përmes miratimit të një rezolute të re, e cila do ta zëvendësonte rezolutën 1244, ka thënë ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan Kharcenko.

“Aktualiteti i idesë së ‘ndarjes së Kosovës’, ashtu si edhe çdo ideje tjetër, mund të vlerësohet vetëm nga Beogradi dhe Prishtina. Zgjidhja e qëndrueshme e çështjes së Kosovës është e realizueshme vetëm si rezultat i marrjes parasysh të interesave të balansuara reciproke, pa imponim të skemave të jashtme apo afateve kohore. Kriter kryesor për ne është që zgjidhja të jetë e pranueshme për Serbinë”, ka thënë ai në intervistën për gazetën “Politika” të Serbisë. Ai është pyetur se cilat janë “vijat e kuqe” të Rusisë rreth Kosovës.

Kharcenko po ashtu ka thënë se për inkuadrimin e Moskës në dalogun Kosovë-Serbi, e domosdoshme para se gjithash është kërkesa e Beogradit.

“Me këtë rast, vetë procesi negociator duhet të zhvillohet në një kornizë të arsyeshme dhe të pranueshme për ne, mbi bazën e Rezolutës 1244, teksa duhet ta ketë një formë dhe përmbajtje të pranueshme. Më duhet ta theksoj se rezultatet e aktiviteteve diplomatike, deri më tani, nuk janë aq evidente. Përkundrazi, në Kosovë tash ka vetëm më shumë kaos”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës lyps vëmendje të qëndrueshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë të cilën e ka vlerësuar si parakusht.

“Zgjidhja definitive e çështjes së Kosovës duhet të konfirmohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përmes miratimit të një rezolute të re, e cila do ta zëvendësonte Rezolutën 1244”, ka thënë ai.