Rusia kërkon shpegime për raportet për civilët e vrarë në Siri

E publikuar: 28/10/2015 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia ka kërkuar që ambasadat e jashtme në Moskë ta dokumentojnë atë që autoritetet ruse e kanë cilësuar si raporte të “paturpshme” të mediave perëndimore, se nga sulmet ajrore të Rusisë në Siri janë vrarë civilë.

Zëvendësministri i mbrojtjes, Anatoly Antonov, i ka kontaktuar atashetë ushtarakë të disa vendeve perëndimore, pastaj të Turqisë, të Arabisë Saudite, dhe të NATO-s, lidhur me raportimet e mediave ndërkombëtare të fushatës së bombardimeve ajrore njëmujore, ka njoftuar Ministria e mbrojtjes mbrëmë vonë.

“Ne jemi të akuzuar jo vetëm se e kemi goditur opozitën e moderuar, por po ashtu, caqet civile, siç janë spitalet, xhamitë dhe shkollat”, tha Antonov, dhe ka shtuar se “si pasojë e gjithë kësaj, sipas raporteve të mediave perëndimore, dyshohet se joluftëtarët janë vrarë”.

Ai i ka dënuar këto raporte duke i cilësuar se janë “njolla antiruse”.

“Sot ne i ftojmë atashetë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, të Britanisë, Gjermanisë, Italisë, Arabisë Saudite, Turqisë dhe NATO-s, që të paraqesin një shpjegim zyrtar të substancës së deklaratave të bëra ose ato të përgënjeshtrohen”, tha Antonov, dhe ka shtuar se nëse Rusisë “nuk i paraqiten dëshmi ose përgënjeshtrim zyrtar, atëherë do të konsiderohet se këto njollosje antiruse janë pjesë e luftës informative kundër Rusisë”.