Veprimet e Uashingonit ndaj objekteve diplomatike ruse në Shtetet e Bashkuara mund të përshkruhen si huliganizëm shtetëror, ka thënë sot zv.ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov.
“Jam i prirë ta quaj huliganizëm shtetëror këtë që po ndodh,” ka thënë Ryabkov për gazetarët në samitin BRICS në Kinë, transmeton Express.
Në fundjavë, diplomatët rusë i liruan tri objekte diplomatike në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe konsullatën gjashtëkateshe në San Francisko, duke iu bindur urdhrit të SHBA-së, i cili u mor si hakmarrje ndaj Moskës për shkurtimin e prezencës diplomatike amerikane në Rusi.
E Ministria e Jashtme e Rusisë tha dje se urdhri i SHBA-së për t’i konfiskuar objektet diplomatike ruse në Uashington dhe San Francisko ishte veprim i hapur armiqësor.
“U bëjmë thirrje autoriteteve amerikane ta ndryshojnë mendjen dhe t’i rikthejnë menjëherë objektet diplomatike ruse,” tha kjo ministri në uebsajtin e saj./Express/