“Bundesliga duhet të jetë më aktive dhe të bëjë një hap përpara nëse nuk dëshiron të thellojë diferencën financiare me Premier League”. Këmbanës së alarmit i bie drejtori i përgjithshëm i Bayernit të Mynihut, Karl-Heinz Rummenigge, i cili analizon statistikat pasi marrëveshja televizive e kampionatit anglez ka regjistruar një rekord të ri për sezonin 2016-2017 me një rritje prej 71 % në total krahasuar me vitin 2012. Duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, Premier League do të fitojë rreth 5 miliardë Paund për tre sezonet në vazhdim, ndërsa aktualisht, Bundesliga përfiton rreth 440 milionë Paund osë diçka më shumë se 500 milionë Euro në sezon. Duke analizuar këto të dhëna, Rummenigge thekson se në të ardhmen, skuadra si Chelsea apo Manchester United do të jenë më të forta financiarisht se Bayerni i Mynihut.
“Bundesliga duhet të veprojë menjëherë. Anglezët po na parakalojnë në çdo krah, djathtas, majtas dhe në qendër. Këtu nuk kam parasysh aktivitetin e tyre në merkato por në termat e marketingut televiziv. Bundesliga duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos lëshojë më terren në këtë aspekt”.
Në vijim, Rummenigge përqëndrohet te fushata që ka nisur Bayerni në Azi dhe te tre ndeshjet që duhet të zhvillojë në Kinë brenda 9 ditësh, çka mund të ndikojë në formën fizike të grupit. Ai nuk e bën situatën tragjike, duke theksuar se gjithçka është e planifikuar nga klubi për të nisur një erë moderne në organizimin e aspektit të marketingut.
“Këto udhëtime janë shumë të nevojshme sepse mbi të gjitha na japin favore të mëdha ekonomike. Ne nuk i bëjmë për qejt dhe në këtë pikë duhet të jemi që të gjithë realistë”.