Tragjedi në futbollin rumun ku një lojtar me origjinë kamerunase i Dinamos së Bukureshtit ndërroi jetë në fushën e lojës. Patrick Ekeng u rrëzua në fushë vetëm 7 minuta pasi kishte hyrë dhe ai u transportua menjëherë në spitalin e qytetit të Otelul por nuk ia doli mbanë. Ish mesfushori i Rodez e Le Mans u rrëzua në fushë pa asnjë shkak pasi nuk pati kontakt me asnjë kundërshtar dhe pas 1 ore e gjysmë betejë, mjekët nuk arritën ta mbanin në jetë.
Sipas mediave rumune, në momentet më kritike ishin rreth 10 mjekë që tentuan të bënin gjithçka, por zemra e tij u ndal përfundimisht. 26-vjeçari kishte nënshkruar muajt e fundit për skuadrën rumune pas eksperiencës së gjatë te Le Mans në Francë ku qëndroi për 4 sezone. Ekeng lindi në 26 Mars të vitit 1990 dhe prej disa kohësh ishte edhe pjesë e Kombëtares së Kamerunit ku numëron 7 ndeshje zyrtare. Ky është rasti i dytë i një lojtari kamerunas që ndërron jetë në fushën e lojës pasi atij të Foe në vitin 2003, ndërsa edhe për Dinamon e Bukureshtit është lojtari i dytë që pëson një fat të tillë pas Catalin Haldan në vitin 2000.