Pas kufizimit te orarit të punës për sektorin e gastronomisë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se rritja e rasteve me COVID-19, duhet të parandalohet me vetëdijesim e jo me mbyllje të bizneseve.
Ai deklaroi se presin që sa më shpejt të ketë veprime nga Qeveria, Kuvendi dhe institucionet tjera në raport me menaxhimin e situatës pandemike, e sidomos me pjesën e pakos ekonomike.
Rukiqi: Rritja e rasteve duhet të parandalohet me vetëdijesim, jo me mbyllje
Video
“Rritja e rasteve duhet të parandalohet me vetëdijesim, jo me mbyllje të bizneseve dhe kufizim të lëvizjes. Unë e shoh që është me rëndësi që tek vetëdijesimi nëse nuk kuptohet kështu përmes këtyre mesazheve nga zyrat apo nga komunikimi me qytetarët apo me bizneset atëherë të kalohet në ndëshkime dhe sanksione rritje të tyre për të gjitha ata që nuk respektojnë masat parandaluese të pandemisë. Pasi që përfaqësoj bizneset, mund të bëjë thirrje që të mbyllen të gjitha ato biznese që nuk respektojnë masat parandaluese”, tha ai.
Ai tha se porosia e tij është se virusi COVID-19, është këtu për të qëndruar gjatë dhe duhet të mësohen të jetojnë me të.
Rukiqi tha se presin nga Qeveria, Parlamenti dhe institucionet e tjera, vendimmarrje të bazuar në të dhëna, analizë të thella dhe komunikim të rregullt me palët e prekura dhe konsultim para çdo vendimi.
Rukiqi: Qeveria deri më tani nuk kanë arritur as minimalisht t’i dalin në ballë sfidave
Video
“Ne presim që sa më shpejt të ketë veprime edhe të Parlamentit në raport me menaxhimin e situatës pandemike sidomos me pjesën e rimëkëmbjes ekonomike. Qeveria dhe institucionet tjera, përfshirë Parlamenti deri më tani nuk kanë arritur as minimalisht t’i dalin në ballë sfidave dhe problemeve ekonomike dhe nëse nuk ka veprime të shpejta, që nënkupton në rastin e asaj çka ka të bëjë me ekonominë në dy javët në vijim atëherë ne rrezikojmë me mbyllë mijëra biznese dhe me humb mijëra vende të punës”, tha ai.
Rukiqi tha se pakoja emergjente, që sipas tij nuk arriti të adresojë asnjë emergjencë dhe pësojë devalvim në të gjitha aspektet, duhet të implementohet në tërësi pa asnjë vonesë.
Ai tha se për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat që janë taksapaguesit kryesor në këtë vend, është shumë pak e rëndësishme se kush duhet të merr vendim, a duhet rishikim të buxhetit apo jo, por sipas tij për ta e rëndësishme është se e presin përkrahjen e dorës së shtetit për ta kaluar këtë sfidë. Sipas tij, deri sot shteti ka dështuar ta ofrojë këtë gjë.
Pasi që sektori i gastronomisë dhe sektori i transportit, janë të prekura direkt edhe nga vendimet e fundit, Rukiqi tha se duhet urgjentisht një konsultë me akterët e këtyre sektorëve dhe vendime për shtim të përkrahjes specifike për këta sektor.
Rukiqi: Riprogramim të kësteve të kredisë
Video
“Riprogramimin e kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në financa, përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj, shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve edhe për tre muaj. Sa i përket bizneseve, apeli im është kujdes, kujdes, kujdes. Sot edhe studimet empirike kredibile po e theksojnë rëndësinë e respektimit të masave të distancimit social nga bizneset dhe konsumatorit. Respektimi i masave të distancës sociale, mbajtja e maskave nga punonjësit, dezinfektimet e rregullta, higjiena e punonjësve janë esenciale për mosarritjen e numrit të rasteve”, tha ai.
Kreu i OAK tha se ky vit do të jetë i vështirë dhe nuk është vit i rritjes apo zgjerimit për asnjë biznes, përveç rritjeve në e-commerce dhe investimet në dixhitalizim. Ai tha se është vit i mbijetesës dhe se për herë të parë që nga paslufta, duhet të mësohen të bëjnë ndryshime në bizneset, në mënyrë që të mbijetojnë pa të hyra nga diaspora.
Sipas tij, mbijetesa nuk është e mundshme pa ndërhyrje të shtetit dhe se kjo ndërhyrje duhet të jetë e fuqishme me synime të qarta dhe efikase. Pakoja e rimëkëmbjes, ai tha se duhet të implementohet shpejt. Rukiqi tha se nëse do të ketë vonesa tek kjo pako, të mos çuditen kur të humbin dhjetëra mijëra vendet të punës dhe të ketë lëvizje të shumë kompanive drejtë vendeve të rajonit.
I pyetur se a e përkrahin tërheqjen e 10 përqindshit të Trustit, Rukiqi tha se çdo para që hynë në ekonomi është e mirëseardhur.
Rukiqi: Është diçka që ne e kemi përkrahë
Video
“Është diçka që ne e kemi përkrahë për shkak se po mendojmë që është një impuls, nuk munden me e zëvendësua krejt impaktin që e ka qarkullimi i verës me ekonominë tonë, qoftë nga sektorët e caktuar, qoftë nga ardhja e diasporës, por sado pak e lehtëson gjendjen me uljen e konsumit dhe uljen e fuqisë blerëse. Për impaktin nuk mund të flas tani, por çdo para që hynë është e mirëseardhur”, tha ai.
Dje me vendim të Qeverisë është kufizuar lëvizja e njerëzve nga Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit. Ndërsa, edhe lokalet e gastronomisë nuk do të lejohen të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00./M.Duraku/ /kp/


















