Rukiqi: Në sondazhe, LDK-ja ka rritje – do të jemi aty ku e kemi vendin

E publikuar: 24/09/2024 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka folur për sondazhet që po bëhen për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit që do të mbahen në Kosovë.

Rukiqi tha se jo veç në sondazhet e LDK-së por edhe në sondazhe të tjera, shihet një trend real, i cili sipas tij, ka filluar me ndryshime që kanë ndodhur brenda kësaj partie e edhe me fitoren në zgjedhjet lokale.

“Jo veç sondazhet tona, por edhe sondazhet tjera të cilat jo domosdo duhet të publikohen e të krijohet propagandë, por sondazhet reale, ne shohim një trend i cili ka filluar prej kur kanë filluar edhe ndryshimet në LDK edhe pas fitimit të zgjedhjeve lokale e po vazhdon edhe sot”.

“Pra, është një trend jashtëzakonisht i kënaqshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk po e them si militant por me të dhëna konkrete. Ne jemi edhe pesë muaj larg zgjedhjeve dhe do të jemi aty ku kemi qenë dhe ku e ka vendin LDK-ja”, tha ai në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Rukini foli edhe për sondazhet të cilat tregojnë për një dallim të madh mes vendit të parë dhe atij të dytë, të cilat sondazhe i quajti paradokse, pasi sipas tij, njerëzit janë të pakënaqur me jetën dhe rritjen e çmimeve.