Rudi s’e di pse Parlamenti nuk e rregulloi hyrjen për karrocën e tij, shpreson se specialja do e zbardhë atentatin e pasluftës

E publikuar: 12/07/2020 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sfida e deputetit të LDK’së, Fetah Rudit, për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, po vazhdon edhe pas shtatë muajsh prej kur është votuar për të qenë pjesë e legjislaturës. Kuvendi nuk i ka krijuar ende infrastrukturën e nevojshme megjithëse i është thënë se Vjosa Osmani e ka nënshkruar vendimin. Deputeti nga Malisheva që i ishte bërë atentat pas luftës thotë se do të flasë për rastin e tij posa të hapet debati në Parlament. Megjithëkëtë, po shpreson se Gjykata Speciale do të zbardhë rastin e tij.

Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj prej kur është betuar si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Prej atëherë, deputeti Fetah Rudi nuk ka munguar në asnjërën prej seancave, ani pse, Kuvendi nuk ia ka mundësuar infrastrukturën e duhur.

Si pasojë e një atentati që është bërë ndaj tij para 20 vjetësh, Rudi ka mbetur në karrocë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha për Express se kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar vendimin për rregullimin e infrastrukturës.

“Për besë nuk po e di kush po e neglizhon, mirëpo e di që kryetarja e Kuvendit e ka nënshkruar vendimin që të rregullohet infrastruktura shpejt. E ka nënshkruar menjëherë si e ka marrë detyrën, në bisedat që kam pasur me të, më ka thënë se e ka nënshkruar”, ka thënë Rudi.

Ai shtoi se ka kërkuar që infrastruktura të rregullohet edhe për personat tjerë që vijnë ta vizitojnë Kuvendin.

“Kam kërkuar që të rregullohet edhe për personat që vijnë ta vizitojnë Kuvendin. Të ketë qasje edhe në zyre, edhe në tualete dhe në krejt hapësirat e Kuvendit”, tha Rudi.

“Është dashur të nis deri më tani, të paktën të shohim se po bëhet diçka, por nuk e di ku është pengesa. Ndoshta është edhe shkaku i pandemisë, edhe pse ka mundur të kryhet më lehtë kur s’kemi qenë duke punua, mjetet janë të gjitha janë”, tha Rudi.

Rudi i cili çdo herë dërgohet në Kuvend nga vëllai, e aty ndihmohet edhe nga punonjësit e Kuvendit, tha se ndoshta duhet t’i bojkotojë seancat deri në rregullimin e infrastrukturës.

“Ndoshta duhet me e marrë edhe hapin tjetër e t’i bojkotoj seancat, por unë asnjëherë nuk i kam bojkotuar”, tha Rudi.

Prej më shumë se shtatë muaj prej kur është betuar si deputet i Kuvendit të Kosovës, Rudi ende nuk e ka ngritur çështjen e atentatit ndaj tij.

Megjithatë, ai thotë se këtë do ta bëjë kur të zhvillohet debat në Kuvend.

“Kemi pritur se do të jetë një punë aktive në Kuvend, deri më tani nuk ka pasur temë që ka mundur të lidhet me rastin tim. S’ka pasur seanca aktive, debat, por të përgatitura i kam, gjithsesi se nuk do të heshti”, deklaroi Rudi.

Ai tha se të vetmen shpresë për zgjidhjen e rastit të tij e ka te Gjykata Speciale.

“E vetmja shpresë është te Gjykata Speciale që do t’i zbardh këto raste, ato që i parasheh nga viti 1998, dhe gjithsesi besoj se edhe rasti im do të jetë aty. Ende nuk më kanë intervistuar, por nëse më thërrasin unë jam shprehur hapur sedo të shkoj”, deklaroi Rudi.

Atentati ndaj Rudit nuk është zbardhur as pas 20 vjetësh. Ai kishte deklaruar se atentati ndaj tij është bërë për motive politike.

Fetah Rudi si aktivist e veprimtar i LDK’së, ka qenë edhe ushtar i UÇK’së./GazetaExpress/