Menaxhmenti i RTK-së reagon ashpër kundër presionit të madh politik që po i bëhet Transmetuesit Publik përmes formave të ndryshme nga partitë politike. Përmes një komunikate për media ky transmetues publik ka ftuar partitë e opozitës ta “ndërpresë” siç thuhet “presionin” ndaj udhëheqjes.
Në komunikatë thuhet se “rasti i fundit i përpjekjes së aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u futur me dhunë në objektin e RTK-së, por edhe paralajmerimi i tri partive politike për protestë kundër RTK-së këtë të shtune, vetëm sa i forcon shqetësimet e ngritura shumë herë nga menaxhmenti i RTK-së se politika është duke tentuar ta destabilizojë me çdo kusht transmetuesin e vetëm publik dhe më të fuqishmin në tregun medial transmetues në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu rasti i fundit i dëshmon pohimet e vazhdueshme të menaxhmentit për përpjekjet politike që nga brenda ta destabilizojnë RTK-në përmes manipulimit të disa punëtorëve të RTK-së.
RTK është e hapur për çfardo lloj llogaridhënie para insitucioneve kompetente sepse konsiderojmë se jemi duke e kryer punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme në rrethanat në të cilat jemi, por është duke u bërë i pamundur funksionimi i RTK-së përmes ndërhyrjes politike në të gjitha çështjet e RTK deri te edhe inkurajimi i mosdisciplinës në këtë institucion.
RTK edhe njëherë i bën thirrje të gjithë faktorëve politikë vendorë dhe ndërkombëtarë që ta lënë të qetë transmetuesin publik dhe punëtorët e tij, dhe në vend që të tentojnë ta shkatërrojnë, ta ndihmojnë në zhvillimin edhe më të madh duke e rregulluar çështjen e financimit, të pronës dhe digjitalizimit ashtu siç bëjnë vendet demokratike.
Kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që urgjetisht të vazhdojë me procedurat për amandamentimin e ligjit të RTK-së i i cili tashmë ka hyrë në procedurë dhe me të cilin do të rregullohej financimi i qëndrueshëm dhe prona e RTK-së”, përfundon komunikata e RTK e cila thuhet të jetë e nënshkruar nga menaxhmenti i saj.



















