Rrustem Mustafa: Gjykata Speciale ta zgjerojë fushëveprimin e saj

E publikuar: 22/08/2017 20:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Kryesisë së PDK-së njëherëshi edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit në luftën e fundit, Rrustem Mustafa, është shprehur i bindur se gjatë luftës në Kosovë, nuk ka pasur krime të kryera që të përkufizohen si krime nga ana shqiptare.

“E di se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka pasur krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte nga ana shqiptare. Këtë e them me bindje të plotë, sepse jam i sigurt për këtë të vërtetë, pavarësisht ndonjë gabimi që ka mundur të ndodhë. Gabimet mund të penalizojnë ndokënd, por ato nuk mund te quhen krime lufte”, ka thënë Mustafa në një postim në profilin e vet në “Facebook”.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja se pse Gjykata Speciale duhet ta zgjerojë fushëveprimin e saj. “Pikërisht për shkak të kësaj, them që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike që janë bërë pas luftës; të ndiqen ata, që në mënyrë të orkestruar, kanë keqpërdorur pasurinë kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike e deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë, krime këto që ia kanë ngulfatur ecjen e vendit drejt zhvillimeve normale”, ka shtuar Mustafa.

Postimi i plotë i tij:
Rreshtat e lirisë, të kthehen në rreshta për vendosjen e rendit dhe ligjit!
Nëse ia kemi dal të krijojmë rreshta të mbushur me djem e vajza që ishin të gatshëm të flijoheshin për lirinë, pse tani e tutje ata rreshta të mos i kthejmë në rreshta për kujdes dhe forcim të rendit dhe të ligjit; për forcim të kujdesit për arsimimin dhe edukimin e të rinjve tanë; për shtim të kujdesit shëndetësor, për rritje ekonomike etj.
Ne duhet të mbyllim kapitullin e viteve të kaluara dhe prej kësaj domosdoje nuk ka se pse të frikësohemi dhe as të dyshojmë në rezultatet e përmbylljes së këtij procesi
E di se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka pasur krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte nga ana shqiptare. Këtë e them me bindje të plotë, sepse jam i sigurt për këtë të vërtetë, pavarësisht ndonjë gabimi që ka mundur të ndodhë.
Gabimet mund të penalizojnë ndokënd, por ato nuk mund te quhen krime lufte.
Pikërisht për shkak të kësaj, them që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike që janë bërë pas luftës; të ndiqen ata, që në mënyrë të orkestruar, kanë keqpërdorur pasurinë kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike e deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë, krime këto që ia kanë ngulfatur ecjen e vendit drejt zhvillimeve normale.
Në këtë devijim të kohës së paqes, mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve ,,akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione të krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka që duhet dhe mund t’i epë frymë zhvillimit dhe rrugës së drejtë të vendit për ecje së mbari.
Pikërisht për këto arsye e vlerësoj si domosdo vazhdimin e ndihmës dhe të interesimit për vendosjen e rendit ligjor, shpresoj se do të mund të ndihmojë Gjykata speciale e cila ekskluzivisht është e monitoruar nga kombet e qytetëruara qe kanë kapacitete për të na ndihmuar.
Pres që Gjykata Speciale të bëjë punën e vet shpejt dhe mirë, duke mos u vonuar për gjërat që s’ka nevojë të vonohet.