Rrugët bllokohen nga bora në fshatin Koliq

E publikuar: 07/10/2017 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova është mbuluar sot nga bora e parë në vend e cila filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në shumë vende janë bllokuar edhe rrugët. I ngjashëm është edhe rasti në fshatin Koliq të Podujevës.

Banorët e kësaj ane janë detyruar që të dalin vetë dhe të mirëmbajnë rrugët e kësaj ane duke i pastruar nga bora, obligim të cilin e ka Komuna.

Por ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka sqaruar për gjendjen e rrugëve në vend. Ai tha se Rrugët e Kosovës janë të kalueshme. Disa nga to thotë se i ka inspektuar personalisht.

“Bora e mbrëmshme përveç se ka zbardhë tokën nuk e ka bërë ndonjë segment rrugorë të pakalueshëm.Megjithatë Ministria e Infrastrukturës, i ka angazhuar të gjithë drejtorët që të jenë në krye të detyrës dhe bashkë me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të mos lejojnë asnjë “befasi” e cila mund t’iu shkaktojë probleme qytetarëve gjatë lëvizjes së tyre në komunikacion.

Të gjitha rrugët që janë nën përgjegjësi të ministrisë janë të kalueshme. Në rrugët kodrinoro -malore është intervenuar, si në akset rrugore Pejë – Kullë, Pejë – Rugovë, Kaçanik – Hani i Elezit ka pasur erodime (rrëshqitje) të gurëve të cilët janë pastruar, Brezovicë, Prevallë, Glloboçicë dhe Zhur-Dragash”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij është intervenuar dhe po vazhdon puna në largimin e drunjvë të rrëzuar nga erërat e fuqishme në drejtimet, Dragash-Restelicë, Dragash – Brod dhe Dragash – Zaplluzhë.