Kërkesa për emërtimin e një rruge me emrin eSlobodan Millosheviqit, në komunën e Ranillugut, është miratuar, “sipas procedurave të Kuvendit të kësaj komune” dhe tashmë pritet vetëm vendosja e tabelës që bartë këtë emër.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Sasha Alleksiq, kryesues i Kuvendit të Komunës së Ranillugut.
“Unë jam përfaqësues i pushtetit legjislativ. Në bazë të të gjitha normativave dhe në bazë të ligjeve – konkretisht, pasi që atje ekziston një rrugë me emrin Slobodan Milosheviq – i kemi udhëzuar këshillat e fshatit dhe këshilltarët që t’i bëjnë listat e rrugëve”.
“Ata i kanë dorëzuar ato lista dhe ne vetëm i kemi zbatuar procedurat e Kuvendit. Unë nuk kam kompetenca të drejtpërdrejta dhe as jo të drejtpërdrejta që të bëj presion mbi qytetarët. Unë vetëm e respektoj vullnetin e qytetarëve që më kanë sjellë në këtë vend”, tha Aleksiq.
Millosheviq ishte akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve të 90-ta.
Millosheviq është gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën e Hagës më 11 mars 2006.
Alleksiq thotë se e ka të qartë se emërtimi i rrugës me emrin eMillosheviqit mund të nxis reagime, por ai, siç thotë, “nuk mundi të bënte asgjë më shumë se sa ta zbatonte ligjin”.
Megjithatë, ai ka shpjeguar se miratimi i Kuvendit Komunal të Ranuillugut për emërtimin e rrugëve, nuk është hapi i fundit në këtë proces.
“Mund të ekzistojë një vendim i kryetarit, apo Ministrisë (së Administrimit të Pushtetit Lokal), për kthimin e kësaj çështjeje në procedurë të Kuvendit. Ekzistojnë mundësitë që kjo të hidhet poshtë. Ta zëmë që nesër mund të më vijë vendimi nga ministria për anulimin e këtij vendimi dhe unë si kryetar i Kuvendit të komunës, jam i obliguar që sërish ta kthej në shqyrtim”, theksoi Alleksiq.
Në anën tjetër, lidhur me vendimin që ka marrë Kuvendi i Komunës së Ranillugut, tashmë është në dijeni edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këtë çështje tashmë e kanë diskutuar me kryetarin e kësaj komune, Gradimir Nikiq.
“Ne kemi biseduar me kryetarin e komunës dhe ai ka kërkuar që Kuvendi ta rishqyrtojë atë vendim, posaçërisht me theks për rrugën e kontestuar, e cila tanimë është bërë e njohur për mediet. Kështu që ne duhet të presim se si do të reagojë Kuvendi i Komunës, e më pas ne mund të ndërmarrim ndonjë veprim. Ne tash po i shqyrtojmë mundësitë tona”, tha Gecaj.
Edhe kryetari i komunës së Ranillugut, Gradimir Nikiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se çështjen e emërtimit të rrugës me emrin e Slobodan Millosheviqit, e ka kthyer në kuvendin e kësaj komune për rishqyrtim, raporton rel.
“Unë nuk e shqyrtoj, por shqyrtimin e bën komuna dhe unë tashmë e kam kthyer, për shqyrtim të sërishëm në kuvend. Kështu që, askush nga ministria nuk mund të më kërkojë të bëj diçka, të cilën tashmë e kam bërë, madje para se të ngrihet kjo zhurmë”, theksoi Nikiq.
Ndryshe, Kuvendi Komunal i Ranillugut udhëhiqet nga përfaqësues të Listës Serbe.
Vetë komuna ndërkaq është krijuar gjatë procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, të paraparë me planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.