Rama dhe Vuçiç brenda 15 ditësh firmosin protokollin për ndihmë nga BE.
Autostrada Nish – Durrës do të kushtojë rreth 1 miliard euro. Një gjë e tillë konfirmohet nga numri dy i qeverisë së Serbisë, Zorana Mihajloviç, gjatë një interviste dhënë për të përditshmen “Verçenje Novosti”. Mihajloviç, që mban njëherësh dhe postin e ministres së Transportit dhe Infrastrukturës, deklaroi se “projekti i autostradës Nish – Merdare – Prishtinë – Tiranë – Durrës do të kushtojë rreth 1 miliard euro. Serbia dhe Shqipëria prej gjashtë muajsh janë duke punuar rreth kësaj çështjeje. Të dyja vendet janë duke përgatitur projektet, të cilat dy kryeministrat do t’i prezantojnë në Vjenë gjatë muajit gusht. Ajo ka theksuar se kjo autostradë do të jetë e rëndësishme për të gjithë rajonin, por veçanërisht për Serbinë, e cila do të sigurojë dalje në det, me anë të porteve nëpërmjet Shqipërisë. Mihajloviç zbulon se brenda 15 ditësh, dy kryeministrat Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç do të nënshkruajnë së bashku protokollin që do t’i drejtohet Bashkimit Europian për financuar këtë projekt madhor. Zv.kryeministrja, në intervistën e saj nuk ka harroi të theksonte se pa një stabilitet politik mes vendeve të Ballkanit nuk mund të flitet për investime nga ana e Bashkimit Europian. “Pa stabilitet politik, nuk mund të flitet për stabilitet ekonomik. Për ne është i rëndësishëm një projekt i tillë, pasi do të kemi dalje në det nëpërmjet porteve shqiptare”, theksoi Mihajloviç. Vizita e 27 majit e Kryeministrit serb Vuçiç në Tiranë u vlerësua tepër pozitive, e cila kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin e trazuar të Ballkanit. Në takimet e dy delegacioneve të përbashkëta, pjesë e së cilës ka qenë dhe ministrja Mihajlioviç, është biseduar për konkretizimin e këtij projekti.
Forumi i Vjenës
Gjashtë kryeministrat e Ballkanit u mblodhën në Tiranë për të dhënë sinjale të qarta bashkëpunimi dhe kontribuimi për një rajon të paqtë, larg konflikteve. Forumi Ekonomik i Vjenës, i mbajtur në vendin tonë, transmetoi mesazhe të rëndësishme në adresë të BE-së, të cilët presin bashkëpunim rajonal në shumë fusha, veçanërisht në atë ekonomike. Të gjashtë kryeministrat shprehën nevojën që BE-ja të investonte në Ballkan, pasi vetëm kështu mund të kishte një stabilitet për rajonin. E veçanta ishte deklarata e Vuçiç, se shtetet e rajonit janë lodhur me seminare trajnuese për integrimin, por kërkojnë fonde konkrete nga BE-ja për projektet infrastrukturore. Madje Kryeministri serb u shpreh se në rast të refuzimit nga ana e Komisionit Europian për fondet, shteti i tij është i gatshëm ta financojë vetë projektin Nish – Durrës. Disa ditë më parë, gazeta “Shqip” shkruante se lista e propozimeve për të cilat kanë rënë dakord gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ka 11 projekte prioritare, që duhet të përfundojnë deri në vitin 2030. Ato ndërlidhin vendet e rajonit, njëkohësisht janë zgjatime me korridoret e Bashkimin Europian. Vendet kanë kohë dy muaj që të përgatisin propozimet e përbashkëta në samitin që do të mbahet në Vjenë më 27 gusht 2015. Komisioni Europian angazhohet për 130 milionë euro brenda vitit 2015 dhe 1 miliard euro në tërësi për Ballkanin, vetëm nga fondet e paraanëtarësimit (IPA 2014-2020). Veç 11 projekteve, është rënë dakord që të përfshihet edhe rindërtimi i hekurudhës shqiptare, si pjesë e Korridorit VIII, me kusht që Shqipëria të paraqesë një studim fizibiliteti dhe projekt financimi të besueshëm. “Në vazhdim, hekurudha e Korridorit VIII do të jetë nën mbikëqyrje, duke përfshirë financimin e mundshëm të studimeve paraprake, lidhjeve të detajuara, dizajnimeve dhe punëve eksploruese me një përfshirje në rrjetin kryesor gjatë rishikimit të ardhshëm të ‘TEN T’”, theksohet në deklaratën e Brukselit. “Ne do të japim mbështetje teknike për Korridorin VIII dhe do të shqyrtojmë planet dhe financimet rreth tij. Më pas, në bazë të rezultateve, që do t’i shohim në takimin e 10-shes, mund ta përfshijmë atë gjithashtu në rrjetin qendror të ndërlidhjes”, është shprehur Violeta Bulc, komisionere e BE-së për Transportin.