Me miratimin e Ligjit të ri për tatimin në pronë vitin e kaluar, pritet që nga janari i vitit të ardhshëm të ketë rritet për 200% tatimi për pronat komerciale. Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në vend, pasi vlerësohet se vlerat janë të papërballueshme dhe se me këtë ndryshim e pësojnë qytetarët.
Nga janari i vitit 2025 pritet që qytetarët të paguajnë më shumë për tatimin në pronë. Kjo pas miratimit të ndryshimeve vitin e kaluar në Ligjin për Tatimin në Pronë. Nga Aleanca e Bizneseve të Kosovës kanë alarmuar se tashmë qytetarët do të paguajnë për 200% më shumë tatim në pronë.
Sipas tyre, kjo do të jetë një barrë e lartë për bizneset dhe investitorët me ndikim.
“Ligji i ri për tatimin në pronë, i miratuar vitin e kaluar, do të ketë efekt në ngritjen të lartë të tatimit në pronë dhe Prona Komerciale nga viti i ardhshëm. AKB-ja e kundërshton këtë ligj sepse do të ketë ngritje të faturave të tatimit në pronë komerciale 200-300%, kjo është një barrë e lartë për bizneset dhe investitorët më ndikim. Kjo po kundërshtohet ashpër nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit që sipas tyre janë vlera të papërballueshme dhe në fund pësojnë prapë qytetarët. Ferat Shala thotë se ky ligj është e pamundur të kthehet në pikën zero në këtë legjislaturë”, thuhet në reagimin e tyre.
Për këtë çështje kanë reaguar sot edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga ky subjekt politik deklaruan se janë të shqetësuar me vendimin për ndryshimet që janë bëtë në Ligjin për Tatimin në Pronë të miratuara nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas LDK-së, ndryshimet në ligj parashikojnë tatimin edhe për tokat bujqësore të kultivuara, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët, bizneset dhe fermerët.
“Ky ndryshim përbën një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sektorit privat në vendin tonë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK thotë se nëse Qeveria e ardhshme do të drejtohet nga Lumir Abdixhku, një ligj i tillë do të rishikohet për t’u siguruar që qytetarët të mos paguajnë më shtrenjtë.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha sot se Ligji i ri prezanton një normë të dyfishtë progresive të tatimit në pronë dhe parashikon tatimin edhe për tokat bujqësore të kultivuara, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët, bizneset dhe fermerët.
Ndërsa, Zyrtari i po kësaj partie, Berat Rukiqi tha sot se Qeveria Kurti është anti-biznes dhe anti-zhvillim që sipas tij, synon zhvatjen e milionave të qytetarëve dhe të bizneseve nga dyfishimi dhe trefishimi i tatimit në pronë.
““Të njejta miliona, nuk i kthen në dobi të zhvillimit të vendit, por i orienton në tenderë sekret, në dobi të dostave dhe financuesve të partisë. Këtë nuk do ta lejojmë, me Qeverinë e udhëhequr nga Lumiri, Qeveri që nuk e rrit buxhetin me rritje taksash, por me rritje ekonomike që vjen nga investimi në Ekonomi”, shkroi Rukiqi, në Facebook.
“Ky ndryshim përbën një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sektorit privat në vendin tone”.
Ish-kryeministri i Kosovës aktualisht deputeti i LDK-së, Avduallah Hoti, pati paralajmëruar një vit më parë se ndryshim/plotësimi i Ligjit për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, do t’i bëjë lëmsh komunat.
“Sot shqyrtohet në Komisionin për Buxhet projektligji për ndryshimin/plotësimin e Ligjit të Tatimit në Pronë. Ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat. Ligji që është në fuqi është punuar gjatë me ekspertë suedez të mbështetur nga qeveria suedeze dhe i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për administrim të tatimit në pronë.”, pati thënë ai në një shkrim në Facebook.
Hoti ka thënë se projekligji do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komuanve dhe se do të rritet normat e tatimit për pronat me vlera të mëdha.
Më tej, ai ka bërë një paralajmërim të frikshëm për pronat e punueshme.
“Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës.” , pati shkruar tutje ai.
Ai ka thënë se qasja është “tepër e keqe” dhe se ndryshimi i ligjit po bëhet pa konsultime me komunat dhe bizneset.
“Kjo qasje është tepër e keqe. Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë. Këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës.”, ka përfunduar Hoti.
Çka thuhet në Projektligjin për tatimin në pronë?
Nga 1 janar të 2025-tës, sipas ligjit vlera e detyrimit tatimor për pronën në vlerë deri në njëqindmijë mund të variojë prej 0.10% deri 1%, nga 0.20% deri në 1%, për vlerën e pronave mbi njëqind mijë euro.
Për vlerën e pronave mbi pesë qind mijë aplikohet shkalla tatimore që mund të variojë prej 0.30% deri 1%.
0.40 deri 1% deri në 1 milion, kurse për vlerën e pronave mbi pesë milionë euro aplikohet shkalla tatimore mund të variojë prej 0.50% deri 1%.
Vlerësimin e pronave e ka bërë ministria e Financave, por shkalla tatimore do të vendoset nga kuvendet komunale./Gazeta Express