Rritja në tremujorin e tretë ngadalësohet në 4.9 %, pak më poshtë pritshmërive

E publikuar: 19/10/2021 15:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rritja ekonomike e Kinës në tremujorin e tretë u ngadalësua në 4.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, pak më poshtë se pritshmëritë, treguan të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave të hënën.

Prodhimi i brendshëm bruto në periudhën korrik-shtator u ul nga 7.9 për qind që ishte në tremujorin e dytë, dhe krahasuar me 5.2 për qind sipas parashikimit të “Reuters”.

Ky ishte ritmi më i ngadalshëm që nga tremujori i tretë i vitit të kaluar, kur PBB-ja gjithashtu u rrit me 4.9 për qind, duke shënuar po ashtu një ngadalësim të mëtejshëm nga rritja e madhe prej 18.3 për qind në tremujorin e parë.

Në tre tremujorët e parë PBB-ja e vendit u rrit me 9.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje mesatare dyvjeçare prej 5.2 për qind, sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave.

Sipas industrive, në tre tremujorët e parë, vlera e shtuar e sektorit parësor pati një rritje vjetore prej 7.4 për qind, me një rritje mesatare dyvjeçare prej 4.8 për qind; industria dytësore u rrit 10.6 përqind, me një rritje mesatare dyvjeçare 5.7 për qind; dhe sektori tretësor pati një rritje prej 9.5 për qind, duke pasur një rritje mesatare dyvjeçare prej 4.9 për qind.

Shitjet me pakicë në tre tremujorët e parë u shtuan me 16.4 për qind, duke shënuar një rritje mesatare dyvjeçare 3.9 për qind.

Në tre tremujorët e parë, vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve të mallrave u rrit me 22.7 për qind, nga të cilat eksportet u zgjeruan me 22.7 për qind dhe importet 22.6 për qind.