Hekuran Murati
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur për rivlerësimin e pronave, që ka çuar në rritjen e tatimit në pronë, e që nxiti shumë reagime në vend.
Murati, gjatë sqarimit të tij në një konferencë për media, ka thënë se komunat e kanë mirëpritur rivlerësimin dhe kanë qenë të përfshira në këtë proces.
“Me të gjitha komunat, vlerësimi është bërë në bashkëpunim të ngushtë me departamentet e tyre përkatës. Gjatë gjithë kohës, nuk është vetëm në fund raportin”, tha Murati.
“Dhe ka pasur edhe gjatë kohës, kur një zonë e caktuar, nëse është vlerësuar 200 euro metra katëror, është kërkuar të bëhet 250, sepse kjo nuk është aq lirë”.
Ai thotë se të hyrat i marrin komunat dhe kryetarët ishin të kënaqur me këtë. Ka veçuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.
“Në përgjithësi, këto janë të hyra komunale dhe kryetarët e komunave i kanë mirëpritur. Për shembull, ishte kryetari i komunës së Prishtinës, që ishte i kënaqur me vlerësimin, sepse, më në fund, po kemi një vlerësim real”.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj është distancuar nga vlerësimi, duke thënë se atë e ka bërë Ministria e Financave. Atë e përmendi ministri sot në konferencë,transmeton Express.
“Me sa kam parë, ka qenë nënkryetari i komunës që ka thënë vazhdimisht se Ministria e Financave ka bërë keq. Nuk mund t’i rregulloj cështjen e brendshme komunale, apo cështjen në mes të hierarkisë së një komunës, por duhet të pajtohemi të gjithë se vlerësimi duhet të jetë i saktë. Sa i përket shkallëve tatimore, se a është 0.15 e lartë a e ulët, këto do ta bëjmë në ligjin e ri, mund ta diskutojmë…” , tha Murati.