Rritja e përdoruesve të substancave narkotike vazhdon të mbetet shqetësim. Megjithëkëtë, përtej shqetësimit, përdorimi i kokainës, në vitet e fundit po shndërrohet edhe në problem, me pasoja afatgjate. Rritja e përdoruesve të kokainës tash prek edhe moshat gjithnjë e më të reja.
Të dhënat e Klinikës së Psikiatrisë, vënë në pah se një pjesë e madhe e pacientëve që kërkojnë trajtim për varësi janë përdorues të kokainës. Ndërkohë që mosha mesatare e përdoruesve të sotëm është 16 vjeç. Në disa raste përballë kësaj dukurie janë gjetur edhe më të rinj.
“Kohëve të fundit ka qenë një 16 vjeçare, ka qenë vajzë, mirëpo para pandemisë kemi pas një rast që ka qenë 9 vjeçar, por ai ka qenë në varësi në heroinë, dhe trajtimi i tij ka qenë shumë i vështirë”, tha Samire Gashi Braina, psikiatre dhe shefe e raportit të sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë.
Ajo që ka ndryshuar dhe vë përballë rrezikut rininë e vendit, është përdoruesi fillestar drejtpërsëdrejti me kokainë, duke ndryshuar qasjen e dikurshme kur marihuana e heroina ishin më të përdorshmet.
Kokaina është substancë psikoaktive e grupit të psiko-stimuluesve që krijon varësi shumë shpejt dhe ka pasoja të rënda për shëndetin. Ekspertët e shëndetësisë vënë në pah se kjo ndikon drejtpërdrejt në sistemin nervor qendror, duke shkaktuar edhe çrregullime psiko-tike dhe dëmtime serioze të organeve jetike, duke përfunduar në fatalitet. Dukuria po vë i përballë sfidave të reja edhe institucionet lokale.
“Për fat të keq edhe raportet tregojnë që rritje të përdorimit të narkotikëve në institucionet shkollore në kryeqytet dhe mosha e përdorimit të substancave narkotike në rënie, por kemi nxënës të moshës 12 deri në 14 vjeçar që kanë filluar të eksperimetojnë me substanca narkotike”, tha Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë
Statistikat e policisë për vitin që lamë, tregojnë për një numër të konsiderueshëm rastesh që lidhen me narkotikët.
Viti i kaluar u karakterizua edhe me arritjen e konfiskimit të sasive të shumta të substancave narkotike, përfshirë edhe mbi 24 kilogramë kokainë dhe më shumë se një ton marihuanë, si dhe mijëra bimë kanabisi.



















