Rritja e çmimeve të derivateve, Hoti kritikon masat e Qeverisë, propozon alternativa

E publikuar: 01/04/2026 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avdullah Hoti ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të derivateve në Kosovë, duke vlerësuar se masat e ndërmarra nga Qeveria janë të pamjaftueshme dhe të gabuara për përballimin e krizës aktuale ekonomike.

Sipas tij, çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind që nga 28 shkurti 2026, kur nisën zhvillimet e fundit ndërkombëtare që ndikuan në tregjet globale.

Duke propozuar masa efektive, Hoti thotë: “Në kontekst të këtyre tri obligimeve që ka shteti, masat duhet të jenë balancuese dhe të lidhura e të kushtëzuara nga njëra-tjetra. Masat, para së gjithash, duhet të përfshijnë kontrollin e tregut, i cili duhet të jetë ligjor dhe kushtetues për të mos cenuar liritë ekonomike dhe për të parandaluar monopolizimin e ofertës së tregut, që do të kishte pasoja edhe më të mëdha për konsumatorin e fundit sesa rritja aktuale e çmimit. Duhet gjithashtu të ndërmerren masa që ulin përgjithësisht kostot shoqërore nga rritja e çmimit të derivateve. Kostot e paevitueshme duhet të shpërndahen gjerësisht mes shtetit, bizneseve dhe konsumatorëve”.

Ai gjithashtu thekson se, për shkak të integrimit të tregjeve globale, efektet e tilla zinxhirore përhapen shpejt dhe ndikojnë në rritje të çmimeve dhe ngadalësim të rritjes ekonomike.

Hoti paralajmëron se Kosova, për shkak të varësisë së lartë nga importi dhe nivelit të të ardhurave, pritet të jetë ndër vendet më të prekura nga kjo krizë.