Deri sa numri i të prekurve me Covid-19 në Kosovë po rritet, po ashtu është rritur edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
QKUK bën të ditur se janë 106 pacientë të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive.
46 janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 7 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
‘’Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 6 raste, 3 raste janë në gjendje shumë të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë.’’, thuhet në njoftimin e QKUK’së.
Po ashtu, 6 persona do të lirohen në vetizolim pasi janë në gjendje stabile.
“Në objektin e mjekësisë sportive janë momentalisht 3 raste me Covid-19, 1 i intubuar dhe 2 me CPAP, kurse edhe 2 të tjerë me do të transferohen nga Klinika Infektive.”, thuhet në njoftim.
“Në Klinikën e Pulmologjisë dhe Dermatologjisë janë të shtrirë 23 pacientë të dyshuar me Covid-19.”
“3 pacientë të tjerë të konfirmuar pozitiv në Covid-19, janë transferuar në Klinikën Infektive.”, përfundon komunikata. /Express/