Rriten tensionet ndërsa serbët e Bosnjës mbajnë referendumin e ndaluar

E publikuar: 25/09/2016 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë po mban një referendum kundërthënës në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Sarajevë.

Rreth 1900 vendvotime janë hapur që prej orës 7 të mëngjesit në Republikën Serbe, ku mbi 1.2 milionë qytetarë do të kenë rastin të deklarohen në pyetjen; “E mbështetni që 9 janari të shënohet si Dita e Republikës Serbe”

Referendumi i planifikuar ka çuar drejt debatit “më të nxehtë” ndërmjet zyrtarëve myslimanë të Bosnjës dhe atyre serbë të Bosnjës, që prej vitit 1995 kur me Marrëveshjen e paqes u krijua Republika Serbe, si një prej dy pjesëve konstitutive të Bosnjë Hercegovinës.

Pyetja e referendumit për votuesit në Republikës Serbe nëse e mbështesin propozimin që “Dita e shtetësisë” të jetë më 9 janar, përputhet me një festë Ortodokse Serbe dhe përvjetorin kur ligjvënësit serbë të Bosnjës më 1992 shpallën pavarësinë nga Bosnja, që nxiti luftën trevjeçare etnike.

Komunitetet jo serbe e shohin datën si një simbol të dëbimit të tyre nga territoret e kontrolluara nga serbët e Bosnjës dhe një indikacion se Republika Serbe është krijuar vetëm për Serbët.

Më 17 Shtator, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, me seli në Sarajevë, ndaloi referendumin, duke vendosur se festa e 9 Janarit diskriminon në mënyrë joligjore myslimanët e Bosnjës dhe Kroatët katolikë.

Presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, e ka shtyrë përpara mbajtjen e referendumit.

Kritikët e akuzojnë se po provon të krijojë bazën për një referendum në të ardhmen, më gjasë më 2018, “nëse Republika Serbe duhet të ndahet nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Një hap i tillë do të thoshte edhe fund i Marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund luftës trevjeçare të Bosnjës./rel/