Rriten për 25 % të ardhurat për 26 mijë familjet pjesë të asistencës sociale

E publikuar: 17/10/2015 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, kanë prezantuar vendimin për rritjen për 25 % të asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga skema e asistencës sociale në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, nga data 1 nëntor 2015, 26 mijë familje kosovare, me rreth 115 mijë anëtarë, që përfitojnë nga asistenca sociale do të marrin 25 për qind më shumë mjete financiare.
Ky vendim, siç u bë e ditur në konferencën për medie të mbajtur sot, është rezultat i menaxhimit të mirë të skemave sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe e angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë për avancimin e politikave aktive të tregut të punës në Kosovë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë të ditur se ky vendim i cili merret në ditën që ndërlidhet me luftën kundër varfërisë, është rezultat i përkushtimit maksimal të Qeverisë për politika që synojnë zhdukjen e varfërisë në Kosovë.

Abrashi theksoi se ky është konkretizim i premtimit që është bërë në fillim të mandatit që përmes politikave dhe qeverisjes së mirë do të krijohen përkrahen shtresat që janë në asistencë sociale. “Kjo po jetësohet sot dhe me këtë vendim të përbashkët që prek 26 mijë familje kemi arritur që të rrisim asistencën sociale për 25 për qind. Pra, ky vendim preke 26 mijë familje me përafërsisht 115 mijë persona”, theksoi ministri Abrashi.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, po ashtu tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën, dhe se kjo do të bëjë që rritet përkushtimi për avancimin edhe të politikave të tjera që i prekin këto kategori. “Kjo ka ndodhë me zbatimin e një qeverisje më të mirë brenda sistemit aktual të listës për asistencë sociale, si edhe politikave aktive të tregut të punës ku ne përmes programeve të ndryshme të punësimit kemi targetuar këto familje. Kemi punësuar anëtarët e këtyre familjeve në treg të punës dhe është liruar edhe skema dhe kemi bërë kursime dhe realisht kemi pasur sot mundësinë që të bëjmë rritjen prej 25 për qind për këtë kategori”, tha Abrashi.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, e ka përgëzuar ministrin Abrashi për menaxhimin e shkëlqyer të skemave sociale dhe të skemave të tjera në ministri, duke theksuar se ky menaxhim e ka mundësuar marrjen e këtij vendimi për skemat sociale që të rriten për 25 % .
“Është rritje e konsiderueshme dhe në përputhje me nevojat e këtyre familjeve”, u shpreh ministri Hoti, duke bërë të ditur se krahasuar me tre mujorin e dytë të viti të kaluar, nga 29 mijë familje në skemat e asistencës sociale tani janë 26 mijë familje.
Ministri Hoti po ashtu bëri të ditur se zvogëlimi i këtyre familjeve me asistencë sociale është rezultat i politikave aktive të tregut të punës dhe programeve të punësimit të cilat kanë targetuar familjet që kanë qenë pjesë e asistencës sociale, të cilave iu është mundësuar punësim i përkohshëm ose forma të tjera të punësimit të anëtarëve të këtyre të familjeve.
Ministri Avdullah Hoti, po ashtu, bëri të ditur se ky menaxhim i mirë ka mundësuar që përfitimi mesatar për një familje që është me asistencë sociale të rritet nga 76 në 95 euro dhe që të rritet mesatarja, minimumi dhe maksimumi që mund të ketë një familje.
Duke iu referuar kursimit prej 2.5 milionë eurosh në skemën e asistencës sociale gjatë këtij viti, ministri i Financave, Avdullah Hoti, bëri të ditur se prej 1 nëntorit të këtij viti familjet që janë në asistencë sociale përfitimet për muajin nëntor do t’i kenë për 25 % më të larta.
“Po punojmë edhe në skemat e tjera dhe do të kemi mundësi, menjëherë në vitin e ardhshëm, t’i rishikojmë dhe që në përputhje me administrimin e mirë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të marrim vendime të tjera pozitive për këto skema”, u shpreh ministri Avdullah Hoti.