Enver Hasani i priti mysafirët e tij për herë të fundit si kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në këtë post i kanë mbetur vetëm edhe pak ditë, derisa do të mbahet mend si person, nën udhëheqjen e të cilit Gjykata mori shumë vendime që ndërruan situatën politike në vend.
Më të rëndësishmet mbesin rrëzimi i presidentit Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacollit, që vetëm për kohë të shkurtë qëndroi në këtë post.
E vendimet e vitit të kaluar, në kohën e ngërçit institucional, ai për formimin e qeverisë dhe tjetri për kryeparlamentarin, Hasani vet ka thënë se koha do të dëshmojë se ishin të drejta, raporton KTV.
Por, pikërisht këto vendime që i mundësuan PDK-së formimin e qeverisë, Petrit Zogaj thotë se e bënë Hasanin në sy të publikut argat të subjekteve politike e jo të Kushtetutës.
Për juristen Flutura Kusari, këto akuza ndaj Hasanit kanë bërë që të zbehet reputacioni i Gjykatës Kushtetuese.
Ajo kujton se vendimet megjithatë merren nga kolegji i kësaj gjykate dhe se ka pasur edhe vendime pozitive gjatë kësaj kohe.
Hasani ka mohuar kategorikisht mundësinë që të marrë ndonjë post diplomatik a politik, pasi të përfundojë mandatin më 26 qershor, transmeton Koha.net.
Ish-rektori Enver Hasani ka udhëhequr Kushtetuesen që nga themelimi i saj në vitin 2009. Udhëheqjen e Gjykatës Kushtetuese e merr gjyqtarja Arta Rama – Hajrizi.