Rreziqet për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën nga qasja e re amerikane

E publikuar: 15/02/2025 21:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Avni Jashari

Fjalimi i JD Vance (nënpresident i SHBA-së) në Konferencën e Sigurisë në Munih nuk është thjesht një kritikë ndaj Evropës, por një sinjal i qartë se SHBA-ja e administratës Trump po e ridizajnon rolin e saj global. Kjo përkthehet në një distancim nga Europa tradicionale dhe një orientim drejt një politike më izoluese, të bazuar në interesa të ngushta amerikane dhe në forcimin e lëvizjeve populiste në kontinentin e vjetër.

Për Ballkanin Perëndimor, e në veçanti për Kosovën, kjo qasje është alarmante. Deri më tani, stabiliteti i rajonit është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore: prania dhe mbështetja e SHBA-së dhe perspektiva euro-atlantike. Nëse SHBA-ja redukton ndikimin e saj dhe e lë Evropën të përballet e vetme me sfidat e sigurisë, atëherë rajone si Ballkani, ku konfliktet e ngrira dhe tensionet etnike janë ende të pranishme, mund të bëhen më të cenueshme.

Në veçanti, Kosova është e rrezikuar nga një Amerikë e orientuar nga një diplomaci e ftohtë transaksionale, ku mbështetja nuk varet më nga parimet demokratike, por nga përfitimet strategjike momentale. Një administratë amerikane që shkurton angazhimin në Evropë dhe NATO mund të dobësojë pozicionin e Kosovës përballë Serbisë, veçanërisht nëse Beogradi dhe aleatët e tij shfrytëzojnë këtë vakum për të rritur presionin diplomatik dhe ushtarak.

Nga ana tjetër, fjalimi i Vance përmban edhe një dimension tjetër problematik, ai nxit ndarjet brenda Evropës dhe fuqizon lëvizjet ekstremiste që mund të destabilizojnë BE-në. Nëse BE-ja hyn në një fazë krizash të brendshme, përkushtimi ndaj Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit do të jetë më i dobët, duke e lënë Kosovën e vendet e tjera të rajonit në një gjendje të pasigurt.

Një aspekt tjetër që duhet të shqetësojë Kosovën është fakti se, edhe pse jo me shumicë absolute, në pushtet do të jetë prap Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila njihet për qëndrimet e saj shpeshherë anti-Trump. Kjo mund ta vështirësojë raportin mes Prishtinës dhe Washingtonit, veçanërisht tani që Trump është rikthyer në pushtet dhe ka një qasje shumë më ndryshe ndaj rajonit. Nëse administrata e re amerikane e sheh Kurtin si një partner të pakëndshëm, kjo mund të dëmtojë mbështetjen amerikane për Kosovën, duke i dhënë Serbisë dhe aleatëve të saj më shumë hapësirë për të ndikuar në proceset diplomatike.

Për Kosovën, kjo do të thotë një nevojë urgjente për të forcuar lidhjet me shtetet kyçe të BE-së, për të investuar më shumë në mbrojtje dhe për të siguruar që nuk mbetet peng e një situate ku as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk janë më faktorë stabilizues si dikur. Situata po ndryshon me shpejtësi, dhe vendimmarrësit në Prishtinë duhet ta kuptojnë këtë realitet para se të jetë vonë.