
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk ka plan B përveç anëtarësimit në BE.
Kurti ka thënë se Kosova ka treguar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe beson fort në të ardhmen e vet evropiane, andaj ai ka thënë se ardhur koha që Kosova dhe BE-ja të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për të tejkaluar pengesat që e kufizojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE.
Kurti ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një aspiratë politike, por është një nevojë strategjike.
Ai këtu ka përmendur ndikimin destabilizues të Rusisë, si nevojë për të përshpejtuar proceset e anëtarësimit për aspirantët në BE.
“Angazhimi i palëkundur i vendit tonë dhe mbështetja e fortë e qytetarëve tanë për integrimin dhe partneritetin me BE-në, do të kontribuojnë në përshpejtimin e reformave të lidhura me BE-në.
Vullneti i popullit — të paktën për shumicën e shteteve të BP6 — është i qartë, siç është edhe vizioni i BE-së për Ballkanin Perëndimor: e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Evropian.
Ballkani Perëndimor është i gatshëm dhe i angazhuar për të luajtur një rol konstruktiv brenda Bashkimit Evropian. Tani, Bashkimi Evropian duhet të veprojë me vendosmëri, të shkojë përtej burokracisë dhe të përmbushë zotimet e tij.
Ai duhet të kundërshtojë ndikimin destabilizues të Rusisë dhe të përshpejtojë proceset e anëtarësimit për aspirantët e BE-së.
Koha është tani për të rigjallëruar procesin për ta bërë atë më strategjik dhe të bazuar në merita, për të shpërblyer përkushtimin dhe reformat, dhe për të përqafuar shtetet që kontribuojnë në vizionin e përbashkët për një Evropë të bashkuar.
Le të ecim përpara së bashku — hap pas hapi, reformë pas reforme — derisa Kosova dhe gjithë Ballkani Perëndimor të zënë vendin e duhur në Bashkimin Evropian”, ka thënë ndër të tjera Kurti në diskutimin e djeshëm të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së: avancimi i demokracisë, siguria dhe rritja ekonomike”.