Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot një automjet i tipit Audi ka tentuar të mësyjë zyrtarin policor të Kosovës në fshatin Banje në veri të Kosovës. Zyrtari policor me qëllim të vetëmbrojtjes ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit, i cili më vonë është larguar me shpejtësi.
Policia bën të ditur se ka ndaluar dy vetura tjera të dyshimta dhe se ka dërguar pesë persona në mbajtje.
Kjo është kumtesa e plotë e Policisë së Kosovës lidhur me rastin:
Informacion lidhur me angazhimet e Policisë së Kosovë në rajonin e Mitrovicës veri.
Më datë 9 mars 2023, rreth orës 19:20, përderisa njësia policore e Policisë së Kosovës ndodhej në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit audi.
Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policor, përderisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit.
Automjeti i dyshuar me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, përderisa njësitet policore janë duke ndërmarr veprime operative dhe hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ve të dyshuar të përfshirë në këtë rast.
Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhë në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin e veprave kriminale, ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj secilit individ apo grup kriminal që cenon rendin, sigurinë apo rrezikon jetën e zyrtarëve policor që po punojnë natë e ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.