Kosova vazhdon të përballet me nivel të lartë të varfërisë. Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, për vitin 2011, varfëria e përgjithshme ka arritur afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme mbi 10 për qind.
Për të gjetur një zgjidhje për zbutje e gjendjes së rënde sociale, shumë familje alternativë të vetme kanë ndihmat sociale nga shteti.
Kështu që vetëm për një muaj rreth 500 familje aplikojnë për herë të parë për asistencë sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë,Muhamet Gjocaj, zyrtar në këtë ministri.
Këto shifra dëshmojnë më së miri nivelin e lartë të varfërisë dhe papunësisë, thotë drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” Ibrahim Rexhepi.
“Kjo tregon qartë se nuk ka zhvillim, nuk ka hapje të vendeve të reja të punës, dhe normalisht se njerëzit kërkojnë mbështetje te programet sociale që ka Qeveria e Kosovës”.
“Sigurisht që lista vazhdimisht do të rritet, mund të ketë tentime për ikje klandestine nga Kosova, siç ndodhi muajit e kaluar përderisa njerëzit nuk kanë shpresë apo nuk krijohet një perceptim i qëndrueshëm për ardhmërinë e tyre”, thotë Rexhepi.
Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, thekson shkalla e lartë e papunësisë, rënia e investimeve dhe remitencave në Kosovë, ka bërë që shumë familje adresën e vetme të kenë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Nuk ka ngritje të të ardhurave personale, inflacioni po rritet, ka filluar të bjerë standardi në Evropë, remitencat dhe investimet kanë filluar të zvogëlohen, mërgata është lodhur duke ndihmuar qytetarët në Kosovë. Prandaj, kur nuk ka investime, nuk ka punësim, kur nuk ka punësim vjen deri tek rritja e rasteve sociale në Kosovë”, thotë Tahiri.
Ndryshe, në listën e asistencës sociale figurojnë mbi 26 mijë familje, të cilat marrin nga 40 deri 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve. Por, që autoritetet kompetente tashmë kanë deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësitë që të rritet shuma e ndihmave sociale për këtë kategori të shoqërisë.
Por, kjo shumë është e pamjaftueshme të për përmbushur kërkesat e qytetarëve në nevojë, vlerëson profesori Isa Tahiri.
“Është shumë absurde që të jetohet me atë sasi të mjeteve financiare. Kjo pasi me këtë shumë një familje brenda muajit nuk arrin që të sigurojë bukën dhe qumështin, e mos të flasim për gjërat tjera të nevojshme për jetë”,vlerëson ai.
Sipas të dhënave zyrtare, konsumi vjetor për kokë banori është 1,402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7,625 euro, që në muaj është 635 euro, evropaelire.
Po, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për 23 për qind të qytetarëve, burimi kryesor i të ardhurave të ekonomive familjare, janë pagat nga sektori publik, kurse 45 për qind të buxhetit familjar e shpenzojnë në ushqim dhe pije joalkoolike.