Rreth 400 veta kanë dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me krimet e supozuara të luftës nga element brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan e përditshmja serbe Danas.
Sipas kësaj të përditshmeje, tashmë dëshmitë janë të deponuara dëshmitarët janë vendosur në sistem të mbrojtjes dhe janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës me identitete të reja.
Siç merr vesh kjo gazetë serbe nga burimet e saja diplomatike, gjykata që pritet të themelohet brenda vitit 2016, do të përbëhet vetëm nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe selinë do ta ketë në ish-ndërtesat e Europol-it në Hagë, ndërsa do të veprojë nën ombrellën e Bashkimit Evropian.
Personat e dënuar nga kjo gjykatë do ta vuajnë dënimin në Holandë, kurse, sipas Danas, me Gjykatën Speciale do të bashkëpunoj edhe Tribunali i Hagës dhe Prokuroria e krimeve të luftës në Serbi, njofton Klan Kosova.
Nenad Golcevski, zëdhënës i Tribunalit të Hagës, i ka thënë Danas-it se kjo gjykatë mbështet punën e të gjitha institucioneve relevante gjyqësore që merren me krimet e luftës, mirëpo ende nuk janë caktuar modalitet e bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, njofton Klan Kosova.