Rreth 200 mijë euro i kushtoi shtetit mospërmbushja e një kriteri për liberalizim vizash (Video)

E publikuar: 20/12/2015 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prej vitit 2012, Institucioni i Avokatit të Popullit paguan pesë mijë euro qira për objektin në të cilin qëndron aktualisht.

Pos kostos së lartë të qirasë, zyrtarët në këtë institucion thonë se objekti nuk i plotëson kushtet e duhura për punë, raporton KohaVision.

Avokati i Popullit do duhej të vendosej në objektin që e shfrytëzon Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit do të duhej të vendosej në pallatin e drejtësisë, ku edhe e ka të ndarë hapësirën.

Përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese për disa ditë me radhë kanë thënë se nuk kanë koment për shfrytëzim të objektit që nuk u takon.

Ndërkohë, në Ministrinë e Administratës Publike kanë thënë se nuk mbajnë përgjegjësi për këtë objekt dhe se për këtë duhet kontaktuar Këshillin Prokurorial apo Gjyqësor.

Këta të fundit nëpërmjet postës elektronike kanë thënë se çështja nuk u takon as atyre, përcjell koha.net. Akomodimi i institucionit të Avokatit të Popullit, është edhe njëri nga tetë kriteret për liberalizimin e vizave që Kosova nuk e plotësoi.