Karabinierët liruan një adoleshente shqiptare, e cila ishte rrëmbyer dhe përdhunuar për katër ditë. E ftuar nga disa të afërm të saj për të kaluar pushimet në Napoli, ajo kishte dalë për të bërë një shëtitje në qytet, por nuk ishte kthyer më. Karabinierët e gjetën natën e 25 dhjetorit në një shtëpi të braktisur në Villaricca të Napolit. Adoleshentja u rrëfeu karabinierëve se rrëmbyesit e saj kishin për qëllim ta shfrytëzonin për prostitucion. “Ishte përdhunuar dhe ishte mbajtur pa ngrënë për 4 ditë me radhë”, i tha një burim i karabinierisë gazetës Corriere della Sera.
Njëri rrëmbyesit u arrestua. Ai është një emigrant shqiptar, Besnik Barashima, 42 vjeç. Vajza 17 –vjeçare kishte pak javë në Itali dhe kishte shkuar tek disa të afërm për të kaluar me ta festat e fundvitit. Mbrëmjen e 22 dhjetorit ajo kishte dalë e vetme nëpër rrugët e Napolit dhe ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Të afërmit fillimisht kishin menduar se ishte humbur nëpër qytet, por me kalimin e orëve dhanë alarmin në karabinieri. Forcat e rendit nisën hetimet duke kontrolluar të gjitha ambientet që ajo kishte frekuentuar gjatë qëndrimit në Itali dhe duke pyetur të gjithë të njohurit e saj shqiptarë, të identifikuar nga të afërmit.
Mbrëmjen e 24 dhjetorit të afërmit marrin një njoftim se vajza është mirë dhe se i duhej pasaporta. Shefi i karabinierisë së Villaricca jep urdhër që t’i jepet pasaporta personit që e kërkoi atë. Dhe që këtu nis ndjekja e gjurmëve që zbuloi rrëmbimin. Në momentin e dorëzimit të pasaportës, në Castel Volturno, karabinierët ndërhyjnë dhe arrestojnë 42 –vjeçarin Barashima. /Lapsi.al

















