Rrëfimi i Vehbi Kajtait për “dosjen e shefave”

E publikuar: 06/09/2016 21:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeredaktori i Gazetës Online Insajderi, autor i “Dosjes së Shefave”, Vehbi Kajtazi ka dhënë një intervistë për emisionin “Komiteti” në RTV Dukagjini, ku ka rrëfyer gjithë historinë e skandalit që tronditi skenën politike në vend, posaqërisht partinë më të madhe në vend, PDK.
Rrëfimi i Vehbi Kajtazit për “Dosjen e Shefave”
Emisioni i parë i sezonit të ri të emisionit “Komiteti” në RTV Dukagjini i është kushtuar Insajderit, dhe skandalit më të madh deri më tani në Kosovë, “Dosja e Shefave”.

Për këtë ka rrëfyer vet autori i këtyre shkrimeve, kryeredaktori i Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Kajtazi tregon pikëpamjet e tij rreth 27 episodeve të “Dosjes së Shefave”. Ai thotë se fuqia e ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ishte caktimi i paneleve në institucionet shtetërore dhe shprehet i bindur se në skandalin e përgjimeve ka “elemente të fuqishme të krimit të organizuar”.

“Grabovci zbatonte një skemë të partisë së tij. Fuqia e tij ishte caktimi i paneleve për intervistimin e kandidatëve, përzgjidhte panele, pastaj atyre paneleve u jepte lista të njerëzve se kush duhet të jetë. E gjithë kjo është zbatuar për interesa të PDK-së, pasi e gjithë pasuria publike zbërthehet e përfundon në xhepa të individëve”, thotë Kajtazi.

Kajtazi shprehet optimist se nisja e hetimeve për Adem Grabovcin do të dërgoj në një përfundim të duhur, derisa thotë se prokuroria do hetojë në vazhdim edhe protagonistët e tjerë të “Dosjes së Shefave”.

“E mira e parë është krijimi i një ekipi prej tre prokurorëve, dhe është nxjerrë një vendim për nisje të hetimeve. Hetimi fillestar niset për zotri Grabovcin, por më pas thuhet se do vazhdojnë hetimet edhe për të tjerët. Unë besoj tek prokurorja Drita Hajdari”, ka thënë Kajtazi.

Ndërkaq, kryeredaktori i Gazetës Online Insajderi shprehet i habitur me ndaljen e hetimeve nga misioni i EULEX-it për rastin e ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Ai deklaron se do të duhej të kishte një hetim brenda vetë misionit EULEX-it për këtë rast.

“Do duhej të kishte një hetim brenda misionit, se përse nuk u hetuan këto. Nuk e di përse nuk u hetuan atëherë kur misioni i EULEX kishte më tepër kompetenca, por unë besoj se mbyllja e hetimeve është bërë në mënyrë të qëllimshme”, ka thënë kryeredaktori i Gazetës Online Insajderi.

Insajderi përmes një serie bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet. /Insajderi.com