Rrëfimi i mërgimtarit që NLB Banka ia vodhi 300 mijë euro

E publikuar: 18/05/2016 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrahim Kolgeci kthehet i dëshpëruar nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi. Për të gjashtin vit me radhë po kërkon t’ia kthejnë 300 mijë euro, të cilat iu vodhën në bankën “NLB” që menaxhohet nga vëllau i kryeprokurorit, Albert Lumezi.

“Nuk më pranoj as në takim”, thotë Kolgeci që bashkë me 20 klientë tjerë ka humbur çdo qindarkë të kursimeve jetësore nga Zvicra në këtë bankë në Kosovë.

I ka mbetur vetëm kontrata e nënshkruar nga Lumezi, ku figuron se në vitin 2010 kishte afatizuar për një vit në degën e NLB-së në Suharekë shumën prej 300 mijë eurove me interes 10 për qind.

dokumenti 1

dokumenti 2

Kolgeci është pensionist invalidor dhe jeton me familje në Zvicër, por ishte bindur t`i depononte të gjitha mjetet në këtë bankë para se t’ia vidhte menaxheri i bankës.

“Të gjitha kursimet të cilat i kam bërë në Zvicër unë me familjen time gjatë vitit 2008 i kam depozituar në NLB bank, filialja në Suharekë për një afat një vjeçar me interes vjetor 8 për qind. Këto para i kam dorëzuar në kesh drejtorit të NLB-së Burim Ademaj në zyrën e tij”, rrëfen Kolgeci.

Një vit më vonë të njëjtit lidhin edhe një kontratë të re afatizimi. Kësaj radhe në vlerë 200 mijë euro, për afat 1 vjeçar por me interes 1 për qind më të lartë.

Drejtori i degës, i cili tani po gjykohet si i dyshuar kryesor për vjedhje të parave të klientëve  bashkë me disa zyrtarë tjerë të Bankës NLB, e kishte bindur Kolgecin që vitin pasues ta rris edhe më tej vlerën e depozitave të afatizuara.

“Në vitin 2010 unë më konkretisht me datë 06.07, fillimisht kam biseduar me Burimin në zyrën e tij dhe i kam thënë që do t`i deponoj edhe 100 mijë euro tjera të cilat i kam në Pro Credit bank në mënyrë që në total të lidhi kontratë të re në NLB në shumën prej 300 mijë euro në afat prej një viti me interes vjetor prej 10 për qind ashtu si më thoshte Burimi”, tregon Kolgeci.

 

Por, ende pa ardhur koha që të tërheq mjetet bashkë me interesin e fituar, Kolgeci derisa ishte për shërim në spitalin e Argau të Zvicrës thirret të kthehet urgjent në Kosovë.

“Për keqpërdorimet e parave që janë bërë në NLB Bankë në Suharekë nga Burim Ademaj dhe disa persona tjerë të kësaj banke kam marrë vesh nga djali i vëllaut tim Zogë Kolgeci…. Më ka thënë baca Rrah ka ardhë një punëtor i bankës po të kërkon ty dhe mundësisht duhet me ardhë në Kosovë”.

Të nesërmen ai vjen në Kosovë dhe pa shkuar në shtëpi drejtohet për t`i kërkuar paratë.

“Aty punëtorët e bankës më kanë njoftuar për ngjarjen se si ishin keqpërdor paratë e mia dhe disa klientëve tjerë nga Burim Ademaj dhe disa punëtorë tjerë të kësaj banke”.

Që nga atëherë, Kolgeci endet derë më derë duke kërkuar paratë e tij.dokumenti 3

Banka, e cila ka për obligim të kompenzoj klientët e dëmtuar, tash e gjashtë vjet nuk ia ka kthyer mjetet e humbura këtij depozituesi.

“Më kanë thënë që duhet të përfundoi gjykimi e pastaj të vendoset për paratë e mia. Por mua nuk më intereson çfarë ndodhë me ata. Unë i kam deponuar paratë në bankë dhe ajo duhet të më kompenzoj”, thotë Kolgeci.

Ai ka mbetur i vetmi pa u kompenzuar nga të gjithë klientët e tjerë të vjedhur nga kjo bankë.

Besnik Kada, zyrtar për informim në Bankën Qendrore të Kosovës, ka konfirmuar këtë për Gazetën Fjala duke bërë me dije se nuk mund t`i bëjnë zgjidhje këtij klienti të dëmtuar.

“BQK-ja është informuar se NLB Bank ka kompensuar dëmet e të gjithë klientëve, përpos njërit  që është në proces të kontestit  gjyqësore. Lidhur me rastin në fjalë, Banka Qendrore ka pranuar një ankesë nga personi në fjalë në vitin 2013-të  dhe pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresës  tij dhe duke u bazuar edhe në përgjigjen e dhënë nga NLB, BQK-ja i ka kthyer përgjigje edhe klientit i është  bërë me  dije (z.Kolgeci)  se pasi që rasti ka kaluar në procedurë gjyqësore-kontest civil, BQK-ja nuk ka kompetencë që të vendosë në  zgjidhjen e këtij rasti”, ka thënë Kada.

dokumenti 4

Ndërkaq, zyrtarët e Bankës NLB edhe pas afro një muaji pritjeje nuk janë përgjigjur në kërkesën e Gazetës Fjala për rastin.

Zyrtarët e Banksë, Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, Besnik Delijaj dhe Miradie Morina akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për disa vepra penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, të mashtrimit dhe të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Pesë të akuzuarit ishin punëtorë të degës së bankës NLB në Suharekë që akuzohen se përdorën për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete rreth 1 milion euro para të afatizuara të klientëve të kësaj banke.

Këtë veprim, sipas aktakuzës, ata e kanë bërë në periudhën nga viti 2008 deri në muajin maj 2011.

Në dokumentet që posedon Gazeta Fjala, Ademaj ka shkruar një letër përmes së cilës e pranon fajësinë. Ai thotë se prej momentit të pranimit të detyrës si udhëheqës i degës së bankës në Suharekë, e ka pranuar këtë detyrë me minus të gjendjes së mjeteve.

“Deri te kjo gjendje ka ardhë si pasojë e mbulimit të minuseve ka pas kjo nëndegë gjatë kohës kur unë e kam qenë punëtor i kësaj nëndege. Nga kjo jam detyruar që të tregoj të gjitha të vërtetat që unë di”, shkruan në deklaratën e Ademajt që mbanë datën 7 maj 2011. /Gazeta Fjala/

– See more at: http://gazetafjala.com/analiza/rrefimi-i-mergimtarit-qe-nlb-banka-ia-vodhi-300-mije-euro/#sthash.Xj3uIWO6.dpuf