Ka ndërruar jetë njëri nga të infektuarit me koronavirus në Kosovë, duke shënuar kështu edhe viktimën e parë nga COVID-19 në vend.
Viktima është 82-vjeçari H.H. nga fshati Dumnicë e Epërme e Podujevës, i cili njëherësh ishte edhe më i moshuari që po qëndronte në Klinikën Infektive si i infektuar me këtë virus. Rastin për KOHËN e ka konfirmuar djali i tij.
Ai ka thënë se prindi i tij ka ndërruar jetë rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm. Në Klinikën Infektive janë edhe dy fëmijët e viktimës, të cilët janë të infektuar me koronavirus.
“Po, baba na ka ndërruar jetë. Ishalla tjera (viktima v.j.) nuk ka. Vëllai edhe motra janë mirë. Ata dy nuk kanë probleme. Vëllai u kanë në një dhomë me babën, aty i ka shërbye deri në minutën e fundit”, ka thënë djali i viktimës së parë nga COVID-19 në Kosovë. “Sot në mëngjes, diku në 08:20, fola me vëllain edhe e veta, tha ‘pak ma mirë (prindi v.j.), po e ka çrregulluar diçka ushqimi’, u kanë me atë frymëmarrjen t’u ia dhanë. I thashë ama të flas pak. I tha ‘a po do me folë me B’. I tha ‘kush është?’ Edhe i thashë le mos e mundo. Edhe fola me vëllain, tha ‘mirë është, nuk ka kështu diçka’. Tani pas nja 20 minutash më lajmëroi vëllai tha ‘valla vdiq’. Aty diku rreth orës 09:00”.
Djali i viktimës nga koronavirusi ishte i pari që kishte dalë pozitiv nga Komuna e Podujevës. 62-vjeçari kishte ardhur nga Italia më 5 mars, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Djali i tij i kishte thënë KOHËS se prindi i tij i ishte nënshtruar kontrollit në aeroport, porse nuk kishte pasur shenja të koronavirusit. Shenjat e para, sipas tij, i ishin shfaqur të nesërmen.
“Këto simptomat e para i kanë dalë pas 1 dite që ka ardhë prej Italisë, kollitje të lehtë dhe temperaturë shumë pak. Nuk ka pas telashe të mëdha, po veç që kemi dyshuar, kemi shkuar vullnetarisht në Klinikën Infektive parmbrëmë (14 mars v.j.) me i ba analizat, veç me ditë a është, edhe aty e kanë ndalë”, ka thënë ky familjar më 16 mars, një ditë pasi 62-vjeçari kishte dalë pozitiv me COVID-19.
Në të njëjtën ditë, KOHA kishte biseduar edhe me 82-vjeçarin (H.H.) që sot ka ndërruar jetë. Atë ditë, ai kishte thënë se përveç kollitjes nuk ndien askund dhimbje dhe se pas marrjes së një injeksioni, ndihej shumë mirë.
“Qysh jam i shkruem i kam 82 vjet, a kështu i kam 85… Tjerët, nipi i vogël kryet po i dhemb kapak. Janë ardhë ai farë ekipi (të dielën v.j.), tybe nuk janë ardhë mrena. Unë mrena nejta, i kanë marrë informatat prej djemve edhe kanë shkuar”, kishte thënë H.H. më 16 mars.
Në të njëjtën ditë (pasdite) ekipi i QKMF-së e kishte dërguar për testim në Klinikën Infektive edhe plakun e kësaj familjeje. Ndërsa, të nesërmen, edhe vajzën e tij 54-vjeçare nga fshati Bradash. Të dy kishin rezultuar pozitivë, duke e çuar kështu numrin e të infektuarve me koronavirus në tre, në Komunën e Podujevës. Në karantinë vazhdojnë të mbesin tre fshatra të Komunës së Podujevës, Dumnicë e Epërme, Dumnicë e Poshtme dhe Llaushë, ndërsa e izoluar është familja e të infektuarës nga fshati Bradash.