Dëshmitë e së bijës dhe burrit të Albana Margjekës, që u gjet e murosur në Belgjikë.
“Kur gjetën trupin në tetor 2011, ishte njëlloj sikur të isha goditur nga një tren me shpejtësi të madhe”
Bashkëshorti – De Groote tha se “Herën e fundit kur e pashë, ajo ishte me mikun e saj, Frans Rudelopt, pranë Walcourt”
Mariglen Mullai
Vajza e Albana Margjekës, që u gjet e murosur në një urë para 4 vitesh, kërkon të gjejë vrasësit e nënës së saj. Në një intervistë të vitit 2013, teksa kishte shkuar nga Italia ku banonte drejt Belgjikës, për të ndjekur gjyqin e të akuzuarve për vrasjen, Eneida Margjeka rrëfen momentet e fundit kur kishte kontaktuar me nënën. Vrasja dhe murosja e 31-vjeçares shqiptare në Belgjikë vijon të mbetet një enigmë për familjarët e saj, pasi njeriu që është dënuar me burg përjetë, asnjëherë nuk e ka marrë përgjegjësinë e këtij krimi të rëndë. Eneida Margjeka, tashmë 21-vjeçare, është duke kërkuar një detektiv privat për të mësuar të vërtetën. Zhdukja e Albana Margjekës në 15 janar të vitit 2008, kur ishte 31 vjeçe, shkaktoi edhe një reagim të policisë shqiptare, e cila publikoi një foto të saj dhe karakteristikat trupore. Margjeka u gjet në Belgjikë, e vrarë me 2 plumba dhe e murosur në një urë, në tetor të vitit 2011.
Vajza
“Kush e vrau nënën time dhe më pas e vuri në beton?”. Këtë pyetje ngrinte 21-vjeçarja Eneida Margjeka më 13 nëntor të vitit 2013, teksa ndiqte procesin gjyqësor në ngarkim të 55-vjeçarit Christian De Groote. Në cilësinë e partnerit të Margjekës, shtetasi belg u akuzua për vrasjen e saj, ndërsa i akuzuari tjetër është shtetasi Frans Rudelopt. Eneida kishte shkuar nga Italia, ku banon, drejt Belgjikës, për të qenë e pranishme në këto seanca gjyqësore. Janarin e vitit 2008, kur nëna u zhduk, Eneida ishte vetëm 13 vjeçe. “Ishte një ditë e bukur. Mëngjesin e asaj dite, nëna ime ishte e lumtur. Ajo më lajmëroi se ishte shtatzënë. Unë u trondita pak për idenë e të pasurit një vëlla apo motër të vogël. Por ajo kurrë nuk u kthye”, ka rrëfyer Eneida. Ajo ishte shumë e re, kur mbërriti nga Shqipëria me nënën e saj. “Nëna ime ishte gjithçka për mua”, vijon Eneida. Më pas kur Albana kishte vendosur të banonte me Christian de Groot në vitin 2006, të gjithë ishin të lumtur. Ëndrra e saj ishte krijimi i një familjeje në Belgjikë. “Më 15 janar 2008, kur ajo më tha se ishte shtatzënë, kuptova që ky ishte realizimi i ëndrrës së saj. Papritmas, unë nuk mund ta kuptoja pse u zhduk atë ditë”. Ndërkaq, 15 ditë pas zhdukjes së Albanës, Eneidën e mori në Itali gjyshja e saj. “Ne nuk mund të qëndronin më në Belgjikë. Gjyshja ime më mori në Itali. Më pas kam pritur me vite të tëra që nëna ime të kthehej dhe asnjëherë nuk e kam humbur shpresën. Kam pasur momente zemërimi, por kurrë nuk mund të pranoja se më kishte braktisur. E kam kërkuar gjithmonë, kam shkruar qindra letra, për të treguar që isha duke pritur”, tregon 21-vjeçarja. Më pas vjen momenti kulminat. “Kur gjetën trupin në tetor 2011, ishte njëlloj sikur të isha goditur nga një tren me shpejtësi të madhe, unë nuk mund të besoja, edhe kur autopsia e identifikoi me 100 për qind. Pastaj u bë funerali. Ishte funerali i parë që kisha marrë pjesë në jetën time”, e mbyll Eneida rrëfimin e saj.
Burri
“Unë ndoshta nuk kam reaguar siç duhet, por gruan time e kam dashur. Nga fillimi kam pretenduar pafajësinë”. Këto janë fjalët e fundit të Christian De Groote, 55 vjeç, teksa gjykohej. Proceset gjyqësore ishin të vazhdueshme, pasi hetimet e implikonin atë drejtpërdrejt në vrasje dhe murosje. Por papritmas, gjatë këtyre proceseve gjyqësore, 55-vjeçari ka gjetur mundësinë për t’u arratisur. Në vitin 2013, një gjykatë në Belgjikë ka vendosur të dënohet në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasje. Sipas avokatit, të tij, 55-vjeçarit i kishte rënë të fiktë kur mori vesh vendimin e formës së prerë, pasi çështja kaloi edhe në Gjykatën e Lartë, e cila gjithashtu la në fuqi të njëjtin vendim. Sipas ADN-së së fetusit, u zbulua se Albana ishte shtatzënë me De Groote. Ndërkaq, gjatë rrëfimeve në polici dhe prokurori 55-vjeçari kishte thënë se më 15 janar të vitit 2008, Albana kishte dalë xhiro. Ditën pasuese, Christian De Groote, raportoi zhdukjen e saj në polici. “Ajo shkoi për pazar, në Charleroi dhe në Bruksel. Herën e fundit kur e pashë, ajo ishte me mikun e saj, Frans Rudelopt, pranë Walcourt”, ka thënë 55-vjeçari. Ndërkaq, Frans Rudelopt, 51 vjeç, pranon se e fshehu trupin në një kallëp betoni, me kërkesë të De Groote. Të dy të akuzuarit fajësonin njëri-tjetrin, gjatë proceseve gjyqësore.
Përshkrimet e ekspertëve për horrorin
Vrasja me 2 plumba në zemër dhe murosja në këmbët e urës
Mëngjesi i 15 janarit 2008 e gjeti të lumtur 31-vjeçaren Albana Margjeka, pasi mësoi se ishte shtatzënë. Atë natë ajo u zhduk përgjithmonë, ndërsa kur policia e gjeti kufomën e saj 3 vjet më vonë, vuri re se trupi i pajetë ishte futur brenda në shtyllë betoni, në një urë në Wallonia. Ajo ishte qëlluar më parë me 2 plumba në mushkëri. Ishte një vend i përkryer, ku një vrasës mund të fshihte një kufomë. Patologu mjekoligjor, Wim Van de Voorde thotë se “Nëse një vrasës e ka arritur përfundimisht qëllimin e tij dhe viktima ka vdekur, ai ende ka nevojë që të fshehë trupin. Mesazhi i ngjarjes është: Muroseni shpejt. Sepse pas disa orësh trupi bëhet i ngurtë”. Prokurorët në Charleroi kanë marrë rezultatet e plota dhe përfundimtare të testeve gjenetike të porositura pas zbulimit të trupit, më 13 tetor 2011 në Tarcienne në njësinë Walcourt. Trupi i përkiste Albana Margjekës, 31-vjeçares së zhdukur që nga 15 janari 2008 në Hamsur-Heure. Kufoma u mbajt në morg për tre muaj. Testet e ADN-së zhdukën çdo dyshim të mbetur. Familja, e cila jeton në Itali, u informua për rezultatet. Në kohën e zbulimit, familjarët thanë se nuk kishin mjete financiare që të riatdhesonin eshtrat në Shqipëri. Autopsia zbuloi praninë e dy plagëve të plumbave dhe goditje të rënda, si shkelma etj. Më pas Albana është vrarë nga dy të shtëna në zonën e zemrës, nga një distancë e afërt. Autopsia zbuloi se ishte shtatzënë. Pas nxjerrjes së fotografive të trupit të viktimës në urë, ku ishte betonuar, gjykata dëgjoi ekspertët e mjekësisë ligjore. Ata thanë se plumbat e shkrepur nga afërsia e kanë shpuar mushkërinë dhe zemrën e viktimës.