Arlind Ajeti rrëfehet për të tashmen, të ardhmen dhe të shkuarën. Në një intervistë të gjatë për gazetën prestigjoze zvicerane “Blick” mbrojtësi i Kombëtares Kuqezi tregon shumë detaje të karrierës së tij të deritanishme, nga vështirësitë që ka kaluar tek Baseli e deri tek ëndrra për të luajtur titullar në sfidat e ardhshme eliminatore me Shqipërinë ndaj Danimarkës dhe Portugalisë të vlefshme për Euro 2016. Pas skadimit të kontratës me Baselin aktualisht Arlind Ajeti është një futbollist i lirë edhe pse në ditët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për një transferim të tij në Lihtenshtejn te Vaduzi skuadër tek e cila luan edhe Naser Aliji dhe që bën pjesë në Superligën zvicerane. “Blick” e përkufizon 21-vjecarin me nofkën “Vrasësi”, për vetë aftësitë që ai zotëron por ndërkohë që thekson se e vetmja gjë që ka bërë Arlind Ajeti me qëndrimin te Baseli sezonin e kaluar është se ka vrarë vetveten duke qëndruar në një skuadër që nuk besonte tek ai dhe që e ka aktivizuar shumë pak. Në intervistën e tij për “Blick” mbrojtësi shqiptar fillimisht u ndal të fliste për eksperiencën aspak pozitive që kaloi te Baseli.
“Ndoshta duhet të kisha ndryshuar ekip më shpejt, kjo do të ishte një zgjedhje më e mencur për karrierën time. Gjithsesi ky ishte një mësim që do të më shërbejë gjatë gjithë jetës . Kam patur gjithmonë shpresën se gjërat do të përmirësoheshin. Nuk largova më herët nga Baseli pasi besoja se mund të luaja ende me atë skuadër por asgjë nuk shkoi ashtu sic mendoja unë”.
Ka patur vetëm një arsye shumë më madhore dhe ajo nuk ka të bëjë me futbollin që ka i dhënë forcë Ajetit për të përballuar një sezon të vështirë te Baseli.
“Lindja e djalit tim 7 muaj më parë më ka dhënë shumë forcë. Kur e kam parë për herë të parë të gjitha shqetësimet që kam patur i kam harruar shumë shpejt”.
21-vjecari më pas foli edhe për eksperiencën që përjetoi te Baseli.
“Sezoni i fundit me Baselin ishte më i vështiri i karrierës time. Megjithatë kjo është një përvojë që do të më shërbejë shumë për të ardhmen. Kam mësuar shumë te Baseli pasi kam patur shokë skuadre futbollistë cilësorë”.
Për të qenë pjesë e Kombëtares Kuqezi për dy sfidat e muajit Shtator, Arlind Ajeti duhet të gjejë sa më shpejt një destiancion të ri dhe sipas mediave zvicerane ai është shumë pranë kalimit te Vaduzi edhe pse vetë mbrojtësi shqiptar lë ende gjithcka të hapur përsa i përket të ardhmes së tij.
“Për momentin stërvitem vetëm 1 herë në ditë por me kalimin e 1 apo 2 javëve besoj se do të arrij formën maksimale. Një ndryshim është i rëndësishëm për karrierën time. Vaduzi? Është një opsion por kam edhe mundësi të tjera, nuk dua të nxitohem pasi dua të bëj zgjedhjen më të mirë për vazhdimin e karrierës”.
Në fitoren historike 1-0 të Shqipërisë ndaj Francës në “Elbasan Arena”, Ajeti luajti si titullar dhe zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë me Kombëtaren Kuqezi. Në mungesë të Mërgim Mavrajt, 21-vjecari shikohet si një alternativë e mirë nga trajneri Gianni De Biasi edhe për dy sfidat ndaj Danimarkës dhe Portugalisë, dhe ëndrra e mbrojtësit shqiptar është pikërisht të aktivizohet titullar në këto dy takime.
“Tani kam një rrugë të re për të ndjekur. Dua të luaj jashtë Zvicrës por përpara se të marr një vendim dëshiroj të jem pjesë e Kombëtares Shqiptare në dy sfidat e ardhshme eliminatore për Euro 2016. Shpresoj të grumbullohem nga De Biasi dhe të aktivizohem titullar”./ss/