Mbyllja e Repartit të Kardiokirurgjisë ka përplasur deputetët dhe ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmani.
Ligjvënësit kanë akuzuar qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetëssië për mbylljen e këtij reparti, duke e quajtur turp këtë veprim.
Por, ministri Rrahmani ka premtuar se shumë shpejt do të kthehet në funksionim Reparti i Kardiokirurgjisë.
Në pyetjet parlamentare, deputeti Shaip Muja ka kërkuar nga ministri Imet Rrahmani që të tregoj se sa janë investuar në këtë repart dhe prapë të mos jetë funksional, madje, Muja e ka quajtur pyetje të turpit.
Muja: Kam një pyetje që e kam quajtur pyetje të turpit
“Unë kam një pyetje prapë për këtë pyetjen që unë e quaj pyetje të turpit për Kardiokirurgjinë dhe ministri i kam shtruar kështu. T’i numëroni tri arsye objektive minimale pse nuk mundet një Qendër Klinike Universitare të Kosovës të funksionojë Kardiokirurgjia, sa është investuar deri më tani në këtë sistem dhe sa planifikohen të investohet, pse stafi i kardiologëve është skeptike për funksionimin e Kardiokirurgjisë në QKUK dhe meqë keni me dal me u përgjigj nuk është mirë ministër të dezinformohet opinioni publik që janë bërë vetëm tri operacione në Kardiokirurgji në vitin 2014 sepse vetëm me operacione janë bërë 41 operacione”, tha Muja.
Ministri Rrahmani dha tri arsye se përse ky repart nuk është funksionalizuar.
Rrahmani: Janë tri arsye të mos funksionimit të Kardiokirurgjisë
“Thamë që njëra nga arsyet për mosfunksionalizimin është se ky shërbim është shumë sfidues edhe për sistemet dhe shtetet shumë zhvilluese në vendet tjera e lerë më të ne kur jemi në fazën e ndërtimit të sistemit. Pastaj mungesa e kardiokirurgëve të gatshëm që të punojnë në sektorin publik, mungesa e kardioanesteziologëve dhe profesionistëve tjerë është një nga arsyet që deri me tani nuk ka mundur të funksionalizohet kardiokirurgjia 24 orë, në 7 ditë në javë”, tha Rrahmani.
Ministri Rrahmani tha se deri me tani janë investuar diku 1. 5 milionë euro, ku disa kanë qenë donacione dhe disa investime të Qeverisë. Ndërsa, do të investohen edhe 750 mijë euro në aparaturë dhe mjete.
Por, i pakënaqur është ndarë me përgjigjen deputeti Muja, i cili tha se është turp për Qeverinë që qytetarët të paguajnë me miliona euro për trajtime të Kardiokirurgjisë.
Muja: Qytetarët duhet ta dinë se ky repart s’do të funksionalizohet as në mandatin e juaj
“Nuk dilet në binë të flitet se ne po shqetësohemi po mendojmë, duhet të mendohet ngas dita A në ditën D do ta bëjmë këtë, nga ky mandat në këtë mandat do t’i aftësojmë këto kuadro të cilët do të jenë permanente. Nga investimet që janë investuar në Kardiokirurgji nuk keni të dhëna të sakta…nëse në total koston e Kardiokirurgjisë bëhet nga qytetarët e Kosovës afër 25 milionë euro deri në 35 milionë euro bëhen trajtime të tilla kjo është turp i Qeverisë, nuk është krenari e Qeverisë, prandaj qytetarët duhet ta dinë se ky repart nuk do të funksionalizohet as në mandatin e juaj”, tha Muja.
Por, përsëri ministri Rrahmani ka thekuar se Reparti i Kardiokirurgjisë do të funksionalizohet.
Rrahmani: Kardiokirurgjia do të funksionalizohet
“Kardiokirurgjia do të funksionalizohet dhe në përbërje të këshillit kam dy kardiokirurgë të njohur kosovarë që kanë shprehur vullnetin të kyçen në procesin e funksionalizimit të Kardiokirurgjisë”, tha Rrahmani.
Problemin e mos funksionimit të këtij reparit e ka shtruar edhe deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu në pikën jashtë rendit të ditës, i cili tha se përgjegjësit e shëndetësisë në Kosovë prej hapjes se këtij reparti nuk arritën që ta vejnë në funksion atë.
Haxhiu: Si është e munduar te inaugurohet një repart pa u bërë përgatitjet
“Me rastin e inaugurimit ministri i atëhershëm Agani pat deklaruar se ‘tash e tutje, pacientët kosovarë nuk do të kenë nevojë të shkojnë jashtë Kosovës të marrim shërbime kardiokirurgjike, pasi pjesa më e madhe e shërbimeve dhe sëmundjeve kardiokirugjike do të mund të trajtohen në Kosovë’. Por ky repart assesi nuk u funksionalizua edhe pse u investuan miliona euro, dhe unë kam qenë në vazhdimësi shumë i zhurmshëm për mos funksionalizimin e këtij reparti. Si është e munduar te inaugurohet një repart pa u bërë përgatitjet me kuadro kjo kërkon përgjegjësi nga ata që kanë udhëhequr këtë sektor të rëndësishëm të Shëndetësisë”, tha Haxhiu.
Problemin e këtij reparti e kanë shtruar edhe deputetët tjerë duke i shtruar pyetje ministrit Imet Rrahmani.