Neymari nuk ka nevojë të largohet nga Paris Saint-Germaini për ta fituar Topin e Artë, thotë braziliani Ronaldo.
Neymari u largua gjatë verës nga Barcelona për t’u transferuar te PSG-ja për 222 milionë euro dhe deri më tani ka shënuar 18 gola në Ligue 1 me PSG-në që udhëheq kampionatin francez.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, kishte thënë se Neymari nuk mund ta fitojë Topin e Artë nëse qëndron te PSG-ja, të cilin e dëshiron në “Santiago Bernabeu”.
Por, Ronaldo – fituesi i Topit të Artë në vitet 1997 dhe 2002 – beson se Neymari mund të shpërthejë mjaftueshëm në PSG, që do të përballet me Madridin në Champions League këtë muaj, për të fituar çmime individuale.
“Ai ka gjithçka për ta fituar Topin e Artë në Paris”, u shpreh legjenda braziliane, që mori pjesë në ditëlindjen e Neymarit të dielën.
“Ka klube që do të dëshiroja të luaja, njëra mbetet PSG-ja”.
“Kam ardhur shpesh në Paris, kam qenë shumë shpesh në këtë qytet, ndihem Parisien, por kurrë nuk e kisha mundësinë (të luaja në PSG)”, shton Ronaldo. /Gazeta Express/

















