Roma rigjen buzëqeshjen në “Olimpico” ku arriti një fitore shumë të rëndësishme kundër Udineses. 24 orë pas triumfit të Lazios në “Marassi”, verdhekuqtë e drejtuar nga Rudi Garcia rikthehen në vendin e dytë me një pikë më shumë se kushërinjtë nga i njejti qytet, një javë përpara derbit të kryeqytetit. Ishte Perica ai që ngriu 35 mijë të pranishmit në “Olimpico” me një gol që e nisi në malore sfidën për vendasit por Roma e frymëzuar nga Totti krijoi disa aksione të rrezikshme që u finalizuan vetëm në fundin e pjesës së parë. Asisti i kapitenit u shfrytëzua nga Nainggolan që arriti të kalonte portierin Karnezis.
Në dhomat e zhveshjes Garcia e karikoi edhe më shumë skuadrën e tij dhe rezultatet u dukën qartë në fushën e lojës ku Roma kërkoi golin me çdo kusht duke e gjetur në rrugën më të thjeshtë. Greku Torosidis përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e friulanëve, duke shënuar një gol me fat në minutën e 65. Kaq mjaftoi që Roma të kontrollonte e qetë sfidën deri në fund të 90 minutëshit duke shtrënguar tre pikë të arta në garën për një biletë në zonën Champions. Në takimet e tjera, Cagliari u mund nga Palermo duke zyrtarizuar rrëzimin në Serie B, ndërsa Genoa ngjitet në vendin e 5 pas suksesit 4-1 në fushën e Atalantas./ss/