Roma ndjek e vetme Juventusin. Verdhekuqtë fituan 1-0 sfidën direkte me Milanin duke qenë të vetëm në vendin e dytë në klasifikim. Një sukses i vuajtur për formacionin e Spallettit pas një ndeshje ku Milani mund të kishte marrë dicka më shumë nëse nuk do të kishte qenë për një 11-metërsh të humbur të Niangut në pjesën e parë. Roma në ndryshim nga Milani këtë përballje mëse të ekuilibruar pati meritën se e zgjidhi atëherë kur ishte e nevojshme me Naingolanin që shënoi një gol të madh për një ndeshje të madhe në minutën e 62-të. Me këtë fitore Roma ruan diferencën prej katër pikësh me Juventusin kryesues, ndërsa Milani pavarësisht humbjes tregon se nuk është rastësisht në të tilla pozita në klasifikim por i mungon ndoshta ende përvoja e duhur e lojtarëve të saj për të zgjidhur të tilla ndeshje të mëdha në momente kyce.
Në takimin tjetër, Fiorentina iu afrua zonës europiane me fitoren e dytë radhazi pasi mundi 2-1 në shtëpi Sassuolon. Skuadra vjollcë ju fal Kalinicit që realizoi dy herë në pjesën e parë për ekipin vjollcë. Në pjesën e dytë Sassuolo shkurtoi diferencën me Acerbin, por 3 pikët gjithsesi në fund shkuan për Fiorentinën.

















