Eshtë vetëm çështje orësh. Shumë shpejt Roma dhe Interi do të marrin vesh gjobat që kanë marrë nga UEFA për mosrespektimin e rregullave të Fair Play financiar. Në fakt ka patur zëra se qeveria europiane e futbollit do t’i ndëshkonte dy klubet italiane dhe siç raportojnë mediat nga përtej Adriatikut, gjithçka do të mësohet të Martën.
“La Repubblica” shkruan se zikaltërit rrezikojnë një gjobë që varion nga 6 deri në 8 milionë Euro, ndërsa numri i lojtarëve për turnetë jashtë Italisë mund të reduktohet nga 25 në 21. Por nuk mbaron me kaq për Interin, që gjithashtu mund të përballet me kufizime edhe në merkato. Nga ana tjetër, Roma rrezikon të penalizohet me bllokim të të ardhurave që mund të sigurojë nga pjesëmarrja në Champions apo Europa League. Eshtë një shuplakë e vërtetë kjo nga UEFA për futbollin italian që nuk po kalon ditët më të mira. Pikërisht për të shëruar këto plagë, presidenti i federatës italiane, Carlo Tavechio ka planifikuar një takim me presidentin e qeverisë europiane të futbollit, Michel Platini për të diskutuar një plan masash që mund të ndërmerren në Serinë A dhe kategoritë e tjera./ss/