Roli i Gjermanisë së ribashkuar

E publikuar: 05/10/2015 20:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

SYLË UKSHINI

Pas përmbysjes së Gjermanisë naziste dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania për një periudhë u bë komb pa shtet. Administrimi i Gjermanisë nga katër fuqitë pushtuese – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik – zgjati diçka më shumë se një vit. Më 1949, në zonat perëndimore u krijua Republika Federale e Gjermanisë dhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët u krijua Republika Demokratike e Gjermanisë. Më vonë, në skenën ndërkombëtare u njohën dy shtete të ndryshme gjermane dhe një komb gjerman.

Aspirata e ligjshme për ribashkim të gjermanëve u afishua edhe përmes Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë. Hartuesit e kësaj Kushtetute në preambulë bashkëngjitën edhe detyrimin për ribashkimin e popullit gjerman.

Kundërthëniet midis aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, para së gjithash, hendeku midis amerikanëve dhe sovjetikëve në Konferencën e Potsdamit (korrik-gusht 1945) kontribuuan në lindjen e Luftës së Ftohtë, e cila pesë dekada më vonë do të përfundonte krejt papritur ose thënë ndryshe, kur Perëndimi po përgatitej për t’i bërë ballë një periudhe të re konflikti të zgjatur.

Kahe të pakthyeshme

Gjermanët nga të dyja anët e kufirit nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre për ribashkim në një shtet, edhe pse kjo dukej thjesht një ëndërr në kohën e ashpërsimit të Luftës së Ftohtë, e cila kulmoi me ngritjen e Murit të Berlinit në vitin 1961, që për tridhjetë vjet u bë sinonim i ndarjes së kombit gjerman, por njëkohësisht u bë edhe simbol i dështimit të politikës sovjetike për Berlinin dhe sovjetizimin e Gjermanisë Lindore. Megjithatë, Henry Kissinger, me të drejtë thotë se, kriza e Berlinit shënoi një kthesë në Luftën e Ftohtë, ndonëse ajo nuk u perceptua si e tillë në atë kohë. Nuk pati sfida më për Berlinin, derisa Muri i Berlinit u rrëzua më 1989, duke sjellë bashkimin e Gjermanisë.

Pika e kthesës arriti më 6 dhe 7 tetor, kur në mbarë RDGJ ishin planifikuar të bëheshin festime të mëdha me rastin e dyzetvjetorit të themelimit të regjimit komunist. Festimet filluan me parada të zakonshme, por në mbrëmje u njoftua se në mbarë Gjermaninë Lindore kishin filluar demonstratat antiqeveritare, në të cilat kërkohej reformimi i sistemit politik, zgjedhjet e lira, liria e fjalës, liria e lëvizjes dhe kërkesa të tjera politike.

Katër javë më pas, Muri i Berlinit ra, sepse gjermanolindorët dëshironin të braktisnin RDGJ. Që nga mbrëmja e 9 nëntorit dhe në vazhdim, me miliona gjermanolindorë vërshuan në Berlinin Perëndimor dhe Gjermaninë Perëndimore.

Ndodhi ajo që pakkush e kishte pritur dhe planifikuar: rënia e Murit të Berlinit, i cili për afro 30 vjet me radhë kishte ndarë më dysh qytetin e Berlinit dhe kombin gjerman, përkatësisht Gjermaninë Perëndimore(kapitaliste) dhe Gjermaninë Lindore (komuniste)

Fundi i Luftës së Ftohtë

Këto zhvillime të shpejta dhe dramatike duken si një ëndërr, por që në realitet ato ndryshuan zhvillimet e ardhshme në arenën ndërkombëtare dhe i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe konfrontimit Lindje-Perëndim. Rënia e Murit të Berlinit hapi perspektiva për një kalim në një etapë paqësore të historisë botërore. Për këtë arsye, 9 nëntorin e vitit 1989 nuk e festojnë vetëm gjermanët, por të gjithë europianët dhe njerëzit në botë. Me nënshkrimin në Moskë të Marrëveshjes “Dy-plus-katër” nga gjashtë ministra të Jashtëm (dy ministrat e Jashtëm të shteteve gjermane dhe ministrat e Jashtëm të katër fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore) dhanë pëlqimin për bashkimin e Gjermanisë, që më pas u fuqizua edhe përmes ratifikimit të marrëveshjes për bashkim me 3 tetor nga ana e Bundestagut (Bon) dhe Kuvendit Popullor (Berlini Lindor), kjo e fundi u shpërbë më 2 tetor, ndërsa me 3 tetor RDGJ iu bashkua edhe formalisht Republikës Federale të Gjermanisë. Kështu, Gjermanët në Lindje dhe në Perëndim festuan bashkërisht 3 tetorin si Ditë të Bashkimit të Gjermanisë. Bashkimi i Gjermanisë u bë realitet përmes vendimeve demokratike dhe marrëveshjeve paqësore ndërkombëtare. Në ditët e bashkimit të Gjermanisë Kancelari i atëhershëm gjerman, Helmut Kohl, në një mesazh drejtuar të gjitha qeverive të botës, thoshte: “Vendi ynë me rifitimin e bashkimit do t’i shërbejë paqes botërore dhe do të çojë përpara Bashkimin Europian”.

Padyshim, rënia e Murit të Berlinit ishte një triumf i lirisë jo vetëm për gjermanët, por dhe për popujt e tjerë të kontinentit, sepse nga ky moment filloi de-sovjetizimi i Europës Lindore dhe triumfi i demokracisë, respektivisht ndërtimi i një rendi të ri demokratik në Europën Lindore dhe Juglindore. Gjithsesi, rënia e Murit të Berlinit vulosi fillimin e ndryshimeve në Europën Lindore dhe Juglindore, si dhe u bë burim shprese edhe për shqiptarët e Kosovës për jetësimin e aspiratave të tyre për liri europiane dhe për jetësimin e ëndrrës së tyre për shtet të pavarur.

Diplomacia gjermane dhe Kosova

Që Gjermania do të bënte pjesë në shtetet që do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, kjo ishte diçka që pritej. Shteti gjerman ishte në krye të listës së shteteve që e mbështesnin Planin për pavarësi të mbikëqyrur të përfaqësuesit të OKB-së, ish-presidentit Marti Ahtisari. Por, akti i thjeshtë diplomatik përmban një fuqi të madhe simbolike, pasi rasti i Kosovës është sinonim i ndryshimit rrënjësor të politikës gjermane, e cila përfundimisht hoqi dorë nga pozicioni i vetëpërmbajtjes. Gjermania njohu natyrën potencialisht eksplozive të problemit kosovar më herët se shtetet tjera europiane. Që në vitin 1992, Gjermania e ribashkuar përkrahu dërgimin e vëzhguesve, të cilët ishin pjesë të Misionit me Kohëzgjatje të Gjatë në Kosovë. Qeveria gjermane gjatë tërë kohës ka ndjekur vazhdimisht qasjen trikahore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës: përpjekjet politike, ushtarake dhe humanitare. Meqë, Gjermania e kishte hipotekën e fajësisë për njohjen e shpejtuar të Sllovenisë dhe Kroacisë, përmes së cilës njohu fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, në rastin e Kosovës ajo vazhdimisht u tregua më e përmbajtur, bile shpesh ndodhej në periferi të marrjes së vendimeve ushtarake dhe politike, të cilat ishin edhe refleksion i të kaluarës së shtetit gjerman. Por, pikërisht para nëntë vitesh, lufta e Kosovës, e cila solli gjer tek intervenimi i NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur në mars të vitit 1999, shenjoi një pikë kthese në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ishte një moment vendimtar edhe për politikën e jashtme gjermane. Derisa vetëm disa vite më parë, shteti gjerman kishte debatuar mbi atë se a duhej të lejoj që trupat e tij të angazhohen në një luftë të tillë, për të cilën mungonte edhe miratimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me 24 mars 1999 koalicioni qeveritar kuq/gjelbër i drejtuar nga Gehard Shrëder dhe Joshka Fisher mori përgjegjësinë që aeroplanët ushtarakë gjermanë iu bashkuan fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur me qëllim që të ndalojnë trupat serbe në një tentim tjetër për pastrimin etnik të dizajnuar për të përzënë shqiptarët jashtë Kosovës. I takoi qeverisë së kuq/gjelbër që të udhëheqë Gjermaninë në konfliktin e tij të parë të armatosur që nga përfundimi i Luftës II Botërore. Me këtë hap qeveria gjermane hoqi dorë nga pozicioni i “përmbajtjes”, qeveria kuq/gjelbër dëshmoi lojalitetin ndaj Aleancës Veriatlantike, duke vënë në plan të parë të drejtat e njeriut në raport me sovranitetin shtetëror, që në rrethanat e pas përfundimit të konfrontimit ideologjik Lindje-Perëndim kishte pësuar domethënie restriktive. Në këtë fazë politikanët gjermanë, Kancelari Gerhard Shrëder, ministri i Jashtëm, Joshka Fisher, dhe ministri i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, në luftën e tyre për Kosovën përdorën edhe argumentin moral. Është e njohur thënia lapidare e Fisherit: “Kurrë më Aushvic”, “Kurrë më gjenocid”. Ky qëndrim dëshmonte se në fokus të angazhimit gjerman ishte mbrojtja e vlerave humane përballë terrorit të Beogradit dhe jo e interesave nacionale. Për më tepër, lufta e Kosovës shënoi rikthimin e fuqishëm të Gjermanisë në parketin e diplomacisë ndërkombëtare dhe rritjen e rolit sa në Ballkan, respektivisht ishte fillimi i asaj, çfarë më vonë kancelari Gerhard Shrëder e quante “detabuizimi” ushtarak. Kjo çoi në angazhimin e ushtrisë gjermane në rajonet e shumta të botës, si dhe në një interpretim të ri të përgjegjësisë ndërkombëtare të shtetit gjerman, si dhe të interesave të saj të sigurisë. Se roli i Gjermanisë ka shënuar ngritje të ndjeshme në planin ndërkombëtar, kjo dëshmohet edhe nga fakti se ushtarët gjermanë aktualisht ndodhen në shumë vende të botës, nga Kosova e deri në Afganistan. Por, në fund të një krize qëndron sfida për një fillim të ri. Vera e vitit 1999 gjeti ushtarët gjerman në një mision ushtarak në Kosovë, i cili nuk ishte mision përkrahës i vijës së dytë, siç ishte rasti në Kamboxhë, Somali, apo edhe gjatë misionit IFOR në Bosnjë, por ushtarët gjerman kishin marrë pjesë aktivisht në një operacion ushtarak të udhëhequr nga NATO, me qëllime ushtarake—tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Veç kësaj, në implementimin e Rezolutës së KB 1244 Berlini, për herë të parë, ka “udhëhequr kombin” në një sektor të KFOR-it —në një nivel me amerikanët, britanikët, francezët dhe italianët. Kjo sinjalizon shumë qartë se Gjermania e ribashkuar është e vullnetit të marrë më shumë përgjegjësi dhe se aleatët dhe partnerët e Gjermanisë janë të gatshëm të pranojnë këtë rol të ri të tyre në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në Europë. Që nga fillimi, qeveria e re gjermane e koalicionit nuk ka lënë dyshime se Gjermania do të mbetet pjesë e Aleancës, e përcaktuar të bëjë çdo gjë që është e mundur —përfshirë edhe mundësinë e mjeteve ushtarake si ultima radio, për të ndaluar fillimin e katastrofës humanitare në mes të Europës.

Pesha e veçantë e diplomacisë gjermane u evidentua edhe në çështjen e definimit të statusit të Kosovës përmes pranisë së saj në kryes të institucioneve kryesore ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa gjermani Joachim Ryker, ndodhej në krye të UNMIK-ut, diplomati tjetër gjerman, Wolfgang Ishinger, ishte figura kyçe e përfaqësuese e politikës së jashtme europiane në treshen negociuese për definimin e statusit të Kosovës. Berlini zyrtar gjithashtu kishte një detyrë të ndjeshme që në koordinim me Uashingtonin dhe Brukselin që të përgatisë terrenin diplomatik për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Po kështu, etablimi i strukturave dhe institucioneve efektive është një proces i gjatë dhe i vështirë, prandaj kjo kërkon jo vetëm mbështetje të mëdha materiale, por edhe përgjegjësi politike. Në këtë plan, roli i Gjermanisë do të jetë esencial për suksesin e misionit europian EULEX në Kosovë dhe për sigurinë e shtetit të Kosovës me prezencën e saj ushtarake në kuadër të KFOR-it.

Pa dyshim, në këto vite të pasluftës, shteti gjerman ka qenë një nga vendet europiane që më së shumti ka ndihmuar Kosovën në procesin e në rimëkëmbjen ekonomike, si dhe në procesin e shtetndërtimit dhe të integrimit të shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Veç kësaj, Berlini zyrtar dhe Kancelarja Merkel kanë dhënë një kontribut në bisedimet e Brukselit midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në procesin e implementimit të marrëveshjeve të arritura midis dy shteteve fqinje, duke synuar që të ndihmojnë të gjitha shtetet e rajonit tonë për integrim rajonal dhe euroatlantik.

Organizimi i Konferencës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor më 28 gusht 2014 gusht nën udhëheqjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, në përvjetorin e 100-të të Luftës së Parë Botërore përbën një moment të ri politik për vendet e rajonit në kuptimin e bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit europian. Në këtë linjë mund të thuhet se Konferenca e Berlinit, ku morën pjesë të gjithë kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm dhe ata të Ekonomisë të të gjitha shteteve të rajonit, të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian, si dhe vendet e ardhshme mikpritëse, Austria dhe Franca, përbën formën më të mirë të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, e cila në Ballkan hapi zinxhirin e luftërave dhe konflikteve deri në shpërbërjen e plotë të Jugosllavisë së Versajës dhe krijimit të shteteve të reja. Pas Samitit të BE-së në Selanik 2004, Samiti i Berlinit është takimi më i rëndësishëm politik lidhur me problematikën dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Por, veçantia e tij lidhet me shndërrimin e problematikës rajonale në problematikë prioritare europiane dhe me rikthimin e rajonit në axhendën e politikës së jashtme gjermane, e cila mbetet më me ndikim në formulimin edhe të politikave të BE-së karshi rajonit.

Konferenca e Berlinit ndodhi në një kohë kur nga Gjermania kërkohet më shumë angazhim politik në fushën e jashtme, dhe ky është një moment kur Gjermania si jashtë ashtu edhe brenda BE-së ka një ndikim vendimtar në procesin e integrimit europian. Ky nuk është vetëm një rol i ri i Gjermanisë, por edhe është edhe një përgjegjësi e re ndërkombëtare që ka marrë përsipër, dhe që po u kërkohet nga europianët, siç thotë Henry Kisinger, këtij shteti 25 vjet pas ribashkimit.