Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas vendimit për shtyrje të afatit për gjobitjen e qytetarëve që mbajnë targa ilegale.
Ai ka thënë se ky është një vendim i mirë që i lejon emisarit special të Bashkimit Europian që të gjejë një zgjidhje për këtë çështje me palët në Bruksel.
“Mirë që kemi më shumë kohë për Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, me palët e interesuara për një zgjidhje. E përsëris: Është absurde të rrezikohet përshkallëzimi për targat. Ne kemi nevojë për më shumë burrështetas e më pak rrezikues*”, ka shkruar ai, duke shpërndarë edhe kërkesën e mbrëmshme të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.
Mbrëmë pasmesnate, kryeministri Kurti ka pranuar kërkesën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, për ta shtyrë zbatimin e vendimit për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë dhënien e gjobave për qytetarët që vozisin automjetet me targat që Serbia ilegalisht i lëshon për rajone të Kosovës.
*Brinkmanship (rrezikues) është term që i referohet artit ose praktikës së ndjekjes së një politike të rrezikshme deri në kufijtë e sigurisë përpara ndalimit, sidomos në politikë.