Një tenor i famshëm në botë, një orkestër e njohur dhe një dirigjent robot Ky bashkëpunim i pamundshëm muzikor ishte ngjarja kryesore i festivalit ndërkombëtar të robotikës të Pisas.
Teatro Verdi i qytetit ishte nikoqir i performancës së tenorit italian Andrea Bocelli, i shoqëruar nga orkestra filharmonike Lucca e dirigjuar nga një robot i quajtur YuMi.
YuMi është robot me dy duar, i dizajnuar nga kompania zvicerane ABB për vijat e montimit në prodhim.
Por a ka droidi veçori artistike? “Aftësia e tij për të lëvizur dorën, që do ta shihni, shkon matanë përcaktimit të ritmit. YuMi është makinë shumë e avancuar, fantastike. Por i mungon ndjeshmëria, më së shumti i mungon ndërveprimi. Nëse orkestra duhet të gabojë diku, YuMi nuk ndalet. Ai nuk korrigjon asgjë. YuMi nuk lejon asnjë gabim. As për veten as për orkestrën” thotë Andrea Colombini, dirigjent i orkestrës filharmonike Lucca pak provës.
Megjithëse Bocelli thotë se parapëlqen që të punojë me dirigjent njeri, ai ishte i kënaqur që bashkëpunoi me robotin. “Shkoi mirë, YuMi bëri punë të mirë. Ai është programuar mirë, provova ta ndiqja atë. Gjestet e tij ishin të qarta” thotë tenori italian.
Colombini shpjegoi që Bocelli, i cili është i verbër, e ndjek muzikën e orkestrën dhe është i ndjeshëm në gjërat e ndryshme që u performuan nga dirigjenti tjetër. Bocelli është president nderi i Fondacionit Arpa, një nga organizatorët e festivalit. Festivali ndërkombëtar i robotikës mbahet nga 7-13 shtator në Pisa, Itali./21Media/