Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se konsumi i energjisë gjatë muajve të dimrit pritet të ketë një konsum prej 4.12 milionë megavat/orë, ndërsa gjenerimi nga ana e KEK-ut pritet të jetë 3.2 milionë megavat/orë.
Sipas Rizvanollit, Kosova do të ketë nevojë për të importuar 728 mijë megavat/orë energji elektrike që pritet të kushtojnë rreth 316 milionë euro.
“Nevoja për import do të varet në masë të madhe nga ajo se sa kapacitetet e KEK-ut do të jenë në gjendje të gjenerojnë”.
“Pra, konsiderojmë që mënyra më e mirë është që të ulim konsumin dhe të ulim importin në mënyrë që këto mjete të mund të përdoren për qëllime të tjera”.
Tutje, ajo tha se qytetarët s’kanë nevojë për të aplikuar për subvencionimin e energjisë nga ana e qeverisë, pasi sipas saj, të dhënat do të merren direkt nga KESCO.
“Muaji që do të fillohet është muaji shtator, do të thotë për faturën e shtatorit ndërsa për informata të tjera do të ketë detaje në ditët në vijim”, është shprehur Rizvanolli.