Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti sot në takim një delegacion të lartë të Grupit të Bankës Botërore, të kryesuar nga Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Divizionit për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e Wiebke Schloemer, Drejtoreshë e IFC-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, si dhe Marcelo Castellanos, Menaxher i Lartë i Vendit i IFC-së për Evropën Juglindore.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe planet për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fushat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në sektorët e energjisë dhe minierave.
Palët vlerësuan lart bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Grupit të Bankës Botërore, si dhe mbështetjen e vazhdueshme profesionale dhe teknike ndër vite.
“Bashkëpunimi ynë me Grupin e Bankës Botërore ka qenë i qëndrueshëm dhe me rezultate konkrete, duke kontribuar në zhvillimin e sektorëve strategjikë të vendit.” – u tha gjatë takimit.
Po ashtu, u theksua gatishmëria për të vazhduar bashkëpunimin në fusha ku partneriteti ka dëshmuar sukses, përfshirë ankandet e energjisë së ripërtëritshme, zhvillimin e kornizës rregullative dhe rritjen e efiçiencës së energjisë.
Ministrja Rizvanolli e cilësoi Grupin e Bankës Botërore si një partner strategjik për vendin.
“Ministria e Ekonomisë e konsideron Grupin e Bankës Botërore një partner me rëndësi të veçantë në mbështetjen e reformave, avancimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e projekteve që rrisin sigurinë energjetike dhe nxisin rritjen e qëndrueshme ekonomike”- theksoi ajo.
Në takim u vlerësua gjithashtu se modelet e zhvilluara në Kosovë në fushën e efiçiencës së energjisë, përfshirë Fondin e Kosovës për Eficiencë të Energjisë, po shihen me interes edhe në nivel rajonal si shembuj të suksesshëm.
Delegacioni i Grupit të Bankës Botërore rikonfirmoi përkushtimin për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në përputhje me prioritetet qeveritare dhe objektivat e përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, me fokus të veçantë në sektorët kyç si energjia dhe minierat.

















