Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po hyjnë në një fazë kyçe, duke u pozicionuar si një nga projektet më të mëdha shtetërore dhe sportive të Kosovës. Me fokus në zhvillimin e sportit, infrastrukturës dhe imazhit ndërkombëtar të vendit, ky proces po mbështetet nga institucionet qeveritare, strukturat sportive kombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës theksoi rëndësinë strategjike të Lojërave Mesdhetare si projekt zhvillimor shtetëror dhe nënvizon rolin e qeverisë në garantimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes afatgjate për organizimin e suksesshëm të tyre.
“Lojërat Mesdhetare, “Prishtina 2030”, janë projekt zhvillimor shtetëror që kërkojnë bashkëpunim dhe përkushtim nga të gjithë ne pa dallim. Përgatitja për to është angazhim serioz ndërinstitucional dhe ndërsektorial. Andaj qeveria do të vazhdojë të jetë partnere e fuqishme në këtë proces, si mbështetje e qëndrueshme për realizimin e suksesshëm të tyre”, theksoi Kurti.
Presidenti i Komiteti Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, vuri në pah vitin 2025 si një periudhë vendimtare për përgatitjet, duke theksuar hapat konkretë institucionalë dhe bashkëpunimin e gjerë që po ndërmerren për ta bërë Kosovën një organizatore dinjitoze të këtij eventi historik.
“Një kapitull i veçantë i vitit 2025 është kushtuar përgatitjes së Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Krahas formimit të Komitetit të Përkohshëm organizativ, kemi realizuar edhe vizitat e komisionit koordinues për Lojërat Mesdhetare, të cilat përfaqësojnë hapa konkret dhe të rëndësishëm drejt organizimit të këtij eventi historik për vendin tonë. Puna intensive dhe bashkëpunimi i ngushtë me të gjithë akterët relevant dëshmojnë se, seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet edhe si vend organizator”, deklaroi Krasniqi.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), Iakovos Filippousis vlerësoi përgatitjet e deritanishme dhe e cilëson edicionin e 21-të të Lojërat Mesdhetare si një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin sportiv, infrastrukturor dhe institucional të Kosovës.
“Udhëheqja e Komitetit Olimpik Kombëtar dhe Federatat Kombëtare të Sportit meritojnë njohjen tonë veçanërisht ndërsa përgatitjet për “Prishtina” 2030 janë në proces e sipër. Edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për Prishtinën dhe Kosovën, për shtetin dhe kryeqytetin e tij; jo vetëm te fusha e lojës, ku shtetet do të garojnë në nivelet më të larta të 28 sporteve, por edhe në aspektin e ndërtimit e infrastrukturës moderne dhe të qëndrueshme. Këto mundësi do të forcojnë përgatitjet e atletëve, do të mbështesin zhvillimet afatgjate në sport dhe të rrisë standardet e performancës për vitet në vijim”, ka thënë Filippousis
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jenë një pikë kthese për sportin dhe zhvillimin urban në Kosovë. Përtej garave sportive, ky event synon të lërë një trashëgimi të qëndrueshme infrastrukturore, të rrisë kapacitetet organizative të institucioneve vendore dhe të forcojë pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Bashkëpunimi ndërmjet qeverisë, lëvizjes olimpike dhe organizmave ndërkombëtarë mbetet kyç për ta shndërruar këtë vizion në realitet.


















